Kërkohet ndërgjegjësim ndaj shëndetit mendor sikur atij fizik, shqetësuese mungesa e psikologëve klinik nëpër komuna

Prishtinë | 11 Tet 2024 | 12:58 | Nga Hasan Hoti

Në Ditën e Dytë Ndërkombëtare të Shëndetit Mendor, psikologët nga Kosova dhe ata nga Shqipëria, kanë vlerësuar se pa një baraspeshë të shëndetit mendor dhe fizik nuk do të ketë individë që do të jenë funksional për një shoqëri të shëndosh, raporton Ekonomia Online.

Për këtë, gjatë kongresit ndërkombëtar “Shëndeti mendor, sfidat dhe e ardhmja”, të organizuar nga Shoqata e Psikologëve të Kosovës ata kërkuan që politikbërësit të ndërgjegjësohen për rëndësinë e shëndetit mendor.

Kryetari i Shoqatës së Psikologëve të Kosovës, Ilir Havolli, tha se shëndeti mendor është faktori kryesor i mirëqenies së qytetarëve, teksa shqetësuese e konsideron mungesën e psikologëve klinik nëpër komuna.

“Ajo çka ne zhvilluam këtu është se na tregoi shumë se me të vërtetë shëndeti mendor kërkon një impenjim të veçantë nga ne si profesionist të shëndetit mendor, nga institucionet tona dhe nga institucionet e Shqipërisë. Ajo çka u elaburua dje këtu, na bëri me dije se me të vërtetë se ne duhet të veprojmë dhe të reagojmë në mënyrë imediate në inkorpurimin e psikologëve nëpër strukturat e ndryshme publike, duke filluar nga shëndeti primar, sekondar, terciar e nga sisteme arsimore”.

“Shëndeti primar në Kosovë në të gjithat qytetet, janë vetëm tri komuna që QKMF-të kanë psikolog klinik. Kjo me të vërtetë është shqetësuese, prandaj i bëjmë thirrje institucioneve tona që të fillojnë inkorporomini e psikologëve brenda strukturave organizative”, u shpreh Havolli.

Anëtari i Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Burim Meta, tha se ekzekutivi e legjislativi duhet të marrin shembull Mbretërinë e Bashkuar, të cilët sipas tij, i kanë dhënë theks të veçantë trajtim adekuat shëndetit mendor, po aq sa shëndetit fizik, raporton EO.

“Në një takim timin në vitin 2015 në njërën nga fondacionet e shëndetit mendor në Londër, u theksua fakti se edhe në shtetet e Mbretërisë së Bashkuar, profesionistët shëndetësor iu kishin mbushur mendjen përfaqësuesit e shëndetit mendor, Qeverisë britanike që të vejnë theks të veçantë dhe trajtim adekuat shëndetit mendor, po aq sa shëndetit fizik. Edhe tek ne një qëndrim i tillë është që në vitet e ardhshme, shëndeti mendor të ketë konsideratë edhe nga legjislativi por edhe nga ekzekutivi. Natyrisht si profesionist mund të them se impakti është më pozitiv se sa i viteve të kaluara”, u shpreh Meta.

Xhezide Lumi, mjeke në një klinikë në Zvicër, apeloi te kolegët e saj që të tregojnë thjeshtësi me pacientët e tyre.

“Si metaforë unë e kam kopshtin. ‘T’i vjelim frutat e mira nga kopshtet e huaja’ pra ato që neve na mungojnë e jo t’iu marrim të kalbta, sepse ne gjithmonë jemi të orientuar tek ato të prishurat t’i marrim prej kulturave tjera”.

“Ne kemi mjaft tonat të prishura, uthull nuk mundemi të marojmë të gjitha, prandaj e kisha një mesazh që të jeni të thjeshtë dhe kur të jeni të thjeshtë edhe pacientët, ata e çmojnë atë dhe ndihen më të rehatshëm te ju dhe t’i lemë anash termet mjekësore se nuk i kuptojnë ata se nuk janë të gjithë psikolog e logoped”, u shpreh ajo.

LEXONI EDHE:

Të ngjashme