KESCO: Fatura e shkurtit e ndarë në dy pjesë, tarifat e reja janë llogaritur pas datës 9

Prishtinë | 25 Shk 2022 | 12:22 | Nga Ekonomia Online

Faturat e muajit shkurt të energjisë elektrike të shpërndara nga KESCO kanë ngjallur pakënaqësi tek konsumatorët, duke krijuar poashtu paqartësi se si është bërë llogaritja për këtë muaj.

Rudina Heroi Puka, drejtoreshë e Departamentit për Shërbim ndaj Konsumatorit, Tarifa dhe Çështje Rregullative në KESCO, shpjegon se faturat e muajit shkurt llogariten me çmim të vjetër deri me datë 9 shkurt, kurse pas kësaj date faturohen me çmime të reja sipas vendimit të ZRRE-së.

Sipas saj konsumi mujor ndahet në dy pjesë dhe kjo ka ardhur si pasojë e krizës energjetike globale e që e ka përfshirë edhe Kosovën.

“Siç e kemi lajmëruar edhe më parë gjatë vitit 2021, e gjithë bota por edhe ne jemi përfshirë nga kriza energjetike, ku çmimet e importit kanë qenë shumë të larta dhe kjo ka sjellë deri të një shqyrtim i jashtëzakonshëm i tarifave. Më përfundimin e shqyrtimit të jashtëzakonshëm të tarifave, kanë hyrë në fuqi menjëherë tarifat e reja dhe kjo ka sjellë deri te një komplikim i situatës. Llogaritja e tarifave gjatë këtij muaji realizohet para datës 9 shkurt kur kanë hy në fuqi tarifat dhe pas datës 9 shkurt. Do të thotë konsumi mujor ndahet në dy pjesë, para datës 9 shkurt e cila llogaritet me tarifa të vjetra, dhe pas datës 9 shkurt që llogaritet me tarifa të reja. Blloku i cili ka hyrë tashmë në fuqi nga data 9 shkurt fillon të llogaritet nga zero për konsumin që llogaritet pas kësaj date”, tha ajo sot në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në Radio Televizionin e Kosovës (RTK).

Të ngjashme