KGjK e ShKK pranojnë donacion me pajisje audio-vizuele nga ShBA-ja: Regjistrohen seancat gjyqësore e rritet transparenca

Prishtinë | 21 Mar 2024 | 14:29 | Nga Gzim Mujaj

Ndihmës Sekretari Amerikan për Byronë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit, Todd D. Robinson, Kryetari i KGJK-së Albert Zogaj si dhe Drejtori i Burgjeve të Kosovës Ismail Dibrani, kanë nënshkruar marrëveshje për pranimin e donacionit nga SHBA përmes programit INL. Donacioni përmban pajisje audio-vizuele për Gjykatat në vend, të cilat do të mundësojnë regjistrimin e seancave gjyqësore, raporton Ekonomia Online.

Aty u tha se përmes këtij donacioni viktimat do të kenë mundësinë që të paraqiten në seanca gjyqësore online, “duke u ndjerë më të sigurta”. 

Kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj, tha se më këtë donacion Gjykatat do të kenë më shumë transparencë, llogaridhënie e integritet.

“Dy dekada më parë ne bashkë me partneret ndërkombëtar ndërtuam institucionet e pavarura, përfshirë sistemin e drejtësisë dhe gjyqësorin. Konsoliduam bashkë sistemin e drejtësisë dhe pranuam vlerat më demokratike për sistemin gjyqësorë. Jemi të vetëdijshëm që një shoqëri demokratike nuk mund të funksionojë pa një shtet ligjor. Ndihma e INL ndihmon transparencën e gjyqësorit. Kjo ndihmë është një investim kapital për Gjyqësorin prandaj ne do të kujdesemi që pajisjet që janë instaluar në gjykata të vendit të shfrytëzohen nga gjykata”, tha ai.

Drejtori i Burgjeve të Kosovës, Ismail Dibrani, tha se ky donacion është ndër donacionet më të rëndësishme për Shërbimin Korrektues.

“Sot Shërbim Korrektues nga shumë organizata vlerësohet si storie suksesi, kjo fal mbështetjes së SHBA-së. Donacioni i sotëm është ndër donacionet më të rëndësishme për SHKK dhe sistemin e drejtësisë në përgjithësi pasi që përmes këtij sistemi do të zvogëlojmë nevojën për transport të personave nga gjykata në burgje dhe anasjelltas, duke bërë që proceset gjyqësorë të jene më të sigurta”, ka thënë ai.

E Ndihmës Sekretari Amerikan për Byronë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit, Todd D. Robinson, tha se ky donacion shërbej si mjet jetik që do të përmirësoj sigurinë e gjykatave dhe burgjeve.

Ai tha se ky donacion do ta zvogëloj transferimin e panevojshëm të të burgosurve në gjykata dhe kjo do të shtoj më shumë sigurinë në gjykata dhe burgje.

“Jam i nderuar që po marr pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të donacionet me pajisje audio- vizuele sepse këto pajisje mendojmë që mund të shërbej si mjet jetik që do të përmirësoj sigurinë e gjykatave dhe burgjeve. E përgëzoj KGJK dhe Shërbimin Korrektues për përpjekjet e tyre që ky projekt të realizohet. Digjitalizim i gjykatave është e ardhmja”, u shpreh ai.

Të ngjashme