KIESA mban sesion informues për Skemën e Granteve për Energji të Pastër, aplikimet të hapura deri më 27 korrik

Prishtinë | 24 Kor 2026 | 14:42 | Nga Ekonomia Online

Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë dhe Agjencinë e Luksemburgut për Bashkëpunim dhe Zhvillim (LuxDev), ka mbajtur të premten një sesion informues për bizneset lidhur me Skemën e Granteve për Energji të Pastër – Faza 2.

Në njoftimin e KIESA-s thuhet se sesioni u hap nga ushtruesja e detyrës së Drejtores së Përgjithshme të KIESA-s, Valmira Sejdiu, e cila theksoi rëndësinë e kësaj skeme si një mundësi për mbështetjen e bizneseve që synojnë të investojnë në energji të pastër, të rrisin efiçiencën energjetike dhe të ulin kostot operative.

Gjatë takimit, përfaqësues të KIESA-s, Ministrisë së Ekonomisë dhe LuxDev-it prezantuan në detaje procesin e aplikimit, kriteret e pranueshmërisë dhe dokumentacionin e nevojshëm për përfitim nga skema.

Pjesëmarrësit patën mundësinë të marrin sqarime për çështjet që lidhen me thirrjen publike dhe procedurat e aplikimit.

Skema e Granteve për Energji të Pastër është zhvilluar në kuadër të marrëveshjes ndërmjet Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), përkatësisht KIESA-s, Ministrisë së Ekonomisë dhe LuxDev-it, ndërsa financohet nga Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.

Sipas njoftimit, afati i fundit për dorëzimin e aplikimeve është 27 korriku 2026, ndërsa bizneset mund të aplikojnë përmes platformës eKosova.

Të ngjashme