Kina financon edhe një tjetër termocentral në Serbi

Prishtinë | 05 Mar 2019 | 09:27 | Nga Ekonomia Online

Vetëm pak kohë pasi kishte paralajmëruar përfundimin e ndërtimit të termocentralit Kostolac B3 me kapacitet prej 350 megavatësh, Serbia paralajmëron një termocentral tjetër me kapacitet prej 300 megavatësh.

Njashtu si edhe termocentrali Kostolac edhe termocentrali i sapo-paralajmëruar në Serbi do të ndërtohet me përkrahje nga fonde shtetërore të Kinës.

Korporata Kineze e ndërtimit PowerChina, është interesuar në ndërtimin e termocentralit nga linjiti në Stavalj në Serbi. Sipas medieve, këtë e kanë konfirmuar edhe zyrtarë të kësaj kompanie pak kohë më parë.

“Ne kemi përvojë në ndërtimin e projekteve të tilla në botë dhe mirëpresim bashkëpunimin e dy vendeve për ndërtimin e termocentralit në Stavalj në Serbi. Ne edhe mund të bisedojmë për modele të ndryshme financimi”, theksoi Xiaoping, zëvendëspresident në njërën nga kompanitë në pronësi të Powerchina.

Sipas Strategjisë së Energjisë së Serbisë të aprovuar në vitin 2016, termocentrali prej 300 megavatësh në Stavalj do të ndërtohet pas vitit 2023.

Ndryshe, Serbia synon pozitën e liderit energjetik në rajonin e Ballkanit Perëndimor përmes ndërtimit të kapaciteteve të reja të prodhimit të energjisë nga linjiti. Strategjia e Energjisë e Serbisë parasheh ndërtimin e termocentraleve nga qymyri me kapacitet prej 2550 megavatësh.

Termocentrale të reja të bazuara në linjit janë paralajmëruar edhe në vende tjera të rajonit. Një termocentral që për bazë ka linjitin dhe me kapacitet prej 430 megavat energji elektrike do të ndërtohet në Bosnjë, dhe një tjetër i ngjashëm prej 400 megavatësh do të ndërtohet edhe në Kosovë.

Termocentrali i ri në Kosovë pritet të pavarësoj sektorin e energjisë në vend duke ndikuar në zvogëlimin e sasisë së energjisë elektrike të importuar nga vende të ndryshme, përfshirë edhe atë nga Serbia.

Edhe Qeveria e Greqisë kohë më parë paralajmëroi ndërtimin e dy blloqeve të reja në termocentralin ekzistues Ptolemaida. Blloqet do të kenë kapacitet gjenerues të përbashkët prej 1100 megavat. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme