Klinika Emergjente e mbingarkuar: Për 7 muaj trajtoi rreth 70 mijë raste, shumica prej tyre joemergjente

Prishtinë | 04 Sht 2023 | 09:04 | Nga Ekonomia Online

Emergjenca në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës vazhdon të jetë e mbingarkuar me raste joemergjente. Mbi 70 mijë pacientë kanë kërkuar gjatë këtij viti trajtim në këtë klinikë. Nga kjo e fundit thonë se, edhe pse kanë kërkuar që spitalet rajonale e Qendrat e Mjekësisë Familjare të mos i referojnë rastet të cilat nuk janë emergjente, kërkesa e tyre nuk është marrë për bazë.

Familjarë të pacientëve thonë se janë Qendrat e Mjekësisë Familjare ato që po i referojnë për trajtim në këtë klinikë.

Punëtorët shëndetësorë në Emergjencë deklarojnë se po u ofrojnë trajtim të gjithë atyre që po kërkojnë ndihmë, ndonëse ankohen se shumica prej tyre janë raste joemergjente.

“Mjekësia Familjare nuk është ka funksionon. Normal kjo po na e vështirëson punën. Ka raste që vijnë që nuk janë për neve hiq. Vetëm ua japin udhëzimin nga QMF dhe vijnë”, tha për RTK-në, Nazife Rexhepi, doktoreshë në Emergjencë.

Vetëm për shtatë muajt e parë të këtij viti në këtë klinikë janë trajtuar rreth 70 mijë pacientë.

“Shumica prej tyre nuk janë raste që duhet të trajtohen në qendrën emergjente, por për fat të keq e tillë është situata”, tha Naser Syla, drejtor i Klinikës Emergjente.

Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës, Elvir Azizi ka thënë se Emergjenca do të funksiononte më mirë, nëse do t’i lehtësohej puna nga mosreferimi i rasteve joemergjente.

Në këtë drejtim, nga Komuna e Prishtinës thonë se janë duke punuar.

“Duhet të gjejmë rrugë të bashkëpunimit që ta lehtësojmë edhe Emergjencën dhe të mos e mbingarkojmë pa nevojë”, tha Izet Sadiku, drejtor i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës.

Gjatë vitit të kaluar në Klinikën Emergjente kishin kërkuar trajtim mbi 93 mijë pacientë./Rtk/

Të ngjashme