Klinika Stomatologjike kryen suksesshëm rehabilitimin protetik te pacienti pas kancerit të nofullës

Prishtinë | 04 Qer 2026 | 20:31 | Nga Ekonomia Online

Në Qendrën Klinike Stomatologjike Universitare të Kosovës është realizuar me sukses rehabilitimi protetik me obturator për një pacient që i ishte nënshtruar trajtimit kirurgjikal për kancer të nofullës së sipërme, duke mundësuar rikthimin e funksioneve orale dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së tij.

Pacienti A.S., i lindur në vitin 1971, pas trajtimit kirurgjikal në Klinikën e Kirurgjisë Maksillofaciale me diagnozën OSCC Grade III, ku ishte kryer maxillectomia partialis inferioris, ka vazhduar trajtimin onkologjik dhe konsultat e rregullta sipas rekomandimeve të specialistëve.

Pas vlerësimit klinik të defektit postoperativ të krijuar nga ndërhyrja kirurgjikale, ekipi profesional vendosi që rehabilitimi funksional dhe estetik i pacientit të realizohej përmes një obturatori protetik – një protezë speciale dentare që shërben për mbylljen e defekteve të qiellzës dhe nofullës së sipërme.

“Ky lloj rehabilitimi përfaqëson një komponent të rëndësishëm të trajtimit gjithëpërfshirës të pacientëve me defekte maksilofaciale, duke ndikuar drejtpërdrejt në rikthimin e funksioneve bazike orale dhe në përmirësimin e mirëqenies së tyre,” theksojnë profesionistët e përfshirë në trajtim.

Sipas ekipit mjekësor, realizimi i këtij rasti është rezultat i bashkëpunimit të ngushtë multidisiplinar dhe i zbatimit të protokolleve bashkëkohore të Protetikës Maksillo-Faciale.

“Përmes obturatorit protetik, pacientit i mundësohet përmirësimi i të folurit, gëlltitjes dhe mastikacionit, si dhe rikthimi i integritetit anatomik dhe estetik. Këto janë elemente kyçe për një cilësi më të mirë të jetës pas trajtimit kirurgjikal,” vlerësoi ekipi profesional.

Ky rast dëshmon përkushtimin e QKSUK-së në ofrimin e trajtimeve të avancuara rehabilituese dhe në mbështetjen e pacientëve që përballen me pasoja funksionale dhe estetike pas ndërhyrjeve komplekse kirurgjikale.

Të ngjashme