KMDLNj: SBASHK-u në emër të të drejtës për grevë, shkel të drejtat e fëmijëve

Prishtinë | 03 Pri 2019 | 13:40 | Nga Ekonomia Online

KMDLNj ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit në arsimin parauniversitar me debatin për zëvendësimin e orëve të humbura mësimore, duke thënë se SBAShK-u po keqpërdor pamoralshëm Ligjin për Greva, pasi në emër të realizimit të të drejtave të tyre, po shkelen të drejtat e fëmijëve.

“Kërkesa e fundit e SBAShK-ut për kushtëzimin e zëvendësimit të orëve përveç se është moralisht e papranueshme, kundër të drejtave të njeriut, është edhe ligjërisht e dënueshme për faktin se kushtëzimin apo shantazhimin po e përdorin si mjet për përfitime personale duke e dëmtuar një numër të madh të nxënësve si dhe prindërit e tyre”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.

Madje, KMDLNj thotë se nëse MAShT-i i nënshtrohet shantazhimit nga SBASHK-u atëherë do të kërkojë publikisht dorëheqjen e ministrit Shyqiri Bytyqi dhe përgjegjësi ligjore për të.

KMDLNj kërkon nga prindërit t’i dërgojnë fëmijët në orët plotësuese, ndërsa Këshilli i Prindërve të vë para përgjegjësisë, sipas tyre, donkishotët e SBASHK-ut, të cilëve as që iu intereson pësimi i nxënësve dhe çdo veprim ia kanë nënshtruar interesit personal ekskluzivisht material.

“Aq të pacipë janë drejtuesit e SBAShK-ut sepse në asnjë rast nuk kanë kërkuar përmirësimin e kushteve për arsimtarë dhe nxënës, angazhimin kundër largimit nga shkolla të femrave, sigurimin e transportit për nxënës në gjendje të rëndë ekonomike apo të tjera kushte që , pa asnjë dyshim do të pranoheshin nga të gjithë por këmbëngulin vetëm në përfitime personale. Duket se kushtëzimi i SBAShK-ut nuk ka fund; sa më shumë t’ua plotësoni dëshirat, aq më tepër do t’i rrisin kërkesat”, mbyllet reagimi i KMDLNj-së.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme