Analisti Melazim Koci ka folur për nevojën e krijimit të një Task Force lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me Gjykatën Speciale, me qëllim të arritjes së një qëndrimi të përbashkët ndërmjet partive politike në Kosovë.
Në KlanKosova, Koci tha se për një çështje të tillë, sidomos pas dënimit të ish-krerëve të UÇK-së, sipas tij, nevojitet unitet i brendshëm politik, ndërsa propozoi që në Task Force të përfshihen përfaqësues të të gjitha partive politike, ekspertë vendorë, por edhe juristë ndërkombëtarë.
“Për të shmangur mospajtimet brenda, ndërmjet partive politike. Ne kemi një iniciativë të PDK-së, unë nuk e di nëse ajo është më e qëlluara, nuk e kam lexuar si tërësi, besoj se është e mirë, por mendoj që për të arritur unitetin e brendshëm, pasi ajo nuk mund të kalojë pa unitet të brendshëm, dhe për të arritur unitet të brendshëm, për mendimin tim do të ishte krijimi i një Task Force ku do të ishin përfaqësues të të gjitha partive, ekspertë vendorë por nuk mjaftojnë vetëm ekspertë vendorë”, deklaroi Koci.
Sipas tij, përvoja vendore nuk është e mjaftueshme për të trajtuar çështje të tilla komplekse juridike dhe institucionale.
“Ne nuk kemi ekspertizë të mjaftueshme për ekspertiza të tilla, ka pasur shumë pak në botë. Juristët tanë nuk kanë përvojë, mund të jenë shumë të mirë, por nuk kanë përvojë, prandaj mendoj që duhet të angazhohen juristë ndërkombëtarë”, tha ai.
Koci përmendi edhe juristin ndërkombëtar Paul Williams si një nga ekspertët që, sipas tij, mund të angazhohej në këtë proces.