Kolonelja që fitoi çmimin për Lidership, e motivuar për zhvillimin e Policisë së Kosovës

Prishtinë | 19 Sht 2018 | 18:58 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe Policia e Kosovës kanë organizuar  një koktej për shënimin e njohjes ndërkombëtare të kolonele Taibe Canolli-Brajshori si laureate e çmimit ndërkombëtar për lidership 2018.

Kolonelja Taibe Canolli-Brajshori tha se rrugëtimi i saj në Policinë e Kosovës ka qenë i vështirë, derisa u shpreh e përkushtuar për të ngritur pozitën e gruas në shoqëri, raporton Ekonomia Online.

“Rrugëtimi në karrierë për një zyrtar policor nuk është i lehtë. Shtuar kësaj faktin për të qenë zyrtare femër për një vend të sapodalur nga lufta. Besimi është ai që më ka udhëhequr drejt arritjeve. Edhe përkundër sfidave dhe vështirësive që kemi pasur në Policinë e Kosovës, jam ndier vazhdimisht e motivuar që të përkushtohem në zhvillimin e Policisë së Kosovës. Synimi im ka qenë dhe është angazhimi i femrës. Jam thellësisht e bindur që ky çmim prestigjioz më bën vetëm një zë të veçuar në mesin e juaj. Ndarja e këtij çmimi do të jetë motivim shtesë për të vazhduar punën time”, tha ajo.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, tha se në Policinë e Kosovës gruaja ka pozitë të veçantë dhe si e tillë do të përkrahet gjithmonë, raporton EO.

“Ky është një çmim i merituar. Le të jetë ky çmim frymëzim për të gjithë që të punojnë shumë me disiplinë dhe që të arrijnë. Ky çmim duhet të jetë më së paku personal për kolegen. Kredia është e saj, mirëpo secili person që merr pjesë këtu ka kontribut. Unë si drejtor do t’i përkrah gratë në mënyrë që të ndihen të sigurta në vendin e tyre të punës”.

Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, tha se Policia e Kosovës është ndër më profesionalet në rajon dhe si e tillë duhet të funksionojë edhe në vitet në vazhdim, raporton EO.

“Të jesh polic është një nga profesionet më të vështira. Policët duhet të jenë të përkushtuar për profesionin. Policia e Kosovës përfaqëson një profesionalizëm të lartë. Jam i lumtur dhe krenar që jemi partnerë me Policinë e Kosovës. Dua ta përgëzoj Policinë e Kosovës për profesionalizmin e treguar. Është një nga institucionet që qytetarët kanë më së shumti besim dhe kjo dëshmon profesionalizmin tuaj”.

“Policia është punë në grup, askush nuk i ka të gjithë aftësitë që t’i bëjë të gjitha vetë, prandaj duhet të ekzistojë bashkëpunimi. Një rol të veçantë kanë edhe femrat në polici. Jemi dëshmitarë të arritjeve të Policisë së Kosovës, e sidomos të femrave në këtë institucion. Shembulli më i mirë është ajo për të cilën jemi mbledhur sonte”, tha ai.

Kolonelja e Policisë së Kosovës, Taibe Canolli, është shpërblyer me çmimin ndërkombëtar të Lidershipit të IAWP, në Kanada.

Të ngjashme