Komandanti në largim i KFOR-it apelon për ruajtjen e qetësisë në veri

Prishtinë | 26 Nën 2018 | 12:35 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Me rastin e përfundimit të misionit të komandantit të KFOR-it dhe ndërrimit të komandës, gjeneralmajor Salvatore Cuoci, ka mbajtur konferencë për medie duke treguar për sfidat dhe sukseset që ka pasur KFOR-i përgjatë kohës sa ai ishte i pranishëm në Kosovë.

Sipas tij, gjatë tërë vitit asnjëherë nuk është kërcënuar siguria e qytetarëve, raporton Ekonomia Online.

“Gjatë tërë vitit, dhuna asnjëherë nuk ka shpërthyer dhe siguria e qytetarëve asnjëherë nuk është kërcënuar. Për fat të keq, gjatë javës së kaluar kemi pasë zhvillime ekonomike që kanë rritur tensionet në Kosovë. Ftoj të gjithë akterët të veprojnë në mënyrë paqësore dhe të mençur”, tha ai.

Ai tha se sido që të jetë situata në veri të Kosovës, qytetarët dhe të gjithë duhet ta ruajnë qetësinë dhe të mos përdorin dhunë, raporton EO.

“Pavarësisht situatës në veri dhe jug dhe këshilla më e mirë do ishte të vazhdohej kështu në përmbajtje të përdorimit të dhunës, përkundër shqetësimeve të ndryshme ndërkombëtare Kosova ka arritë një progres të madh gjatë rrugës së normalizimit dhe do ishte gabim nëse do hidheshin poshtë gjitha arritjet dhe të kthehemi sikur para disa viteve”, tha ai.

“Dialogu është duke ofruar zgjidhje, por edhe siguri më shumë për qytetarët në veri dhe ka zgjidhje të ndryshme që mund të bëhen dhe ne po mundohemi që këto do bëhen në tavolinë dhe jo në terren, sepse kur këto merren në tavolinë atëherë kanë të bëjnë me paqe, kur bëhen në terren atëherë cenohet siguria. Do të ketë transformim dhe pozicioni është i qartë, ne do donim që ky transformim të përfshihen gjitha etnitë në Kosovë”, tha ai.

Lidhur me zbatimin e ligjit në veri, Cuoci tha se KFOR-i nuk është i angazhuar atje, raporton EO.

“Zbatimi i ligjit në veri, ne nuk jemi të angazhuar atje, në çfarëdo situate që kemi pasë gjatë javës së kaluar nuk kanë të bëjnë me protesta që kanë ndodhë atje. Momenti mundet të jetë i tillë që me lënë dyshime që janë të ndërlidhura me operacionin e policisë, por kjo duhet sqaruar qartë, kur operacionet e policisë rrisin tensionet, atëherë është e rrezikshme dhe ne kemi kërku që të parandalohet rritja e tensioneve”.

Për transformimin e FSK-së në ushtri, Cuoci tha se një gjë e tillë është proces i gjatë dhe duhen diku 10 vite transformimi.

“Ky proces do merr diku 10 vite nuk është proces ditor, nxjerrja e ligjit nga parlamenti dhe shpallja nga presidenti nuk do të thotë që do bëhet atë ditë, sepse është proces i gjatë”.

Ai tha se FSK është aftësuar aq shumë, saqë nuk dyshon se mund të bëhet një ushtri e denjë për Kosovën.

“FSK është forcë e aftë dhe kur merremi me fatkeqësi natyrore e mbrojtje civile, ata janë shumë të efektshëm, marrëdhëniet i kemi të ngushta njëjtë si me institucionet tjera. FSK-ja janë ngritur dhe kanë arritur aftësitë, por institucionet e larta do vendosin për të. Unë mendoj se përderisa ata aftësohen edhe mundësitë e tyre për të punuar në këtë sektor me efektshmëri është e madhe”.

Ai tha se Kosovës i duhet një buxhet mjaft i madh për të bërë transformimin e FSK-së në ushtri të Kosovës.

“Kur ndërtohet ushtria është nga 0, nuk është proces njëditor, ju duhet më gjatë, ju duhet kohë, trajnime, pajisje është diçka që duhet ndërtuar me vite. Pra do të jenë të efektshëm, sepse mënyra se si janë duke ndërtuar kapacitetet e tyre do të jenë të efektshëm, por nuk është proces ditor. Buxheti duhet të jetë goxha i madh, nuk është diçka që mundeni ta merrni të gatshëm”, tha ai.

Cuoci tha se zgjedhjet e fundit që ishin në Kosovë kanë qenë paqësore dhe, sipas tij, shihet një vullnet i qytetarëve dhe politikëbërësve për të shkuar tutje, por do ketë sfida tjera që kanë të bëjnë me njohjet ndërkombëtare të Kosovës, liberalizimi i vizave, etj.

Të ngjashme