Fëmijët në Kosovë vazhdojnë të përballen me sfida serioze në qasjen dhe cilësinë e shërbimeve shëndetësore, pavarësisht se e drejta e tyre për kujdes shëndetësor falas garantohet me Konventën për të Drejtat e Fëmijës, Ligjin për Shëndetësi dhe Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës, vlerëson Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF).
Sipas KOMF-it, hulumtimi i realizuar nga Shoqata për të Drejtat e Pacientëve, organizatë anëtare e këtij koalicioni, në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit dhe Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit ka evidentuar mangësi të shumta në shërbimet pediatrike.