KOMF lanson fushatën “Në dorën tane” – institucionet të sigurojnë mirëqenie sociale për të gjithë

Prishtinë | 07 Qer 2023 | 11:14 | Nga Enea Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë (KOMF), ka bërë hapjen e fushatës nacionale vetëdijesuese “Në dorën tane”, raporton Ekonomia Online.

Në hapje të fushatës është shfaqur një video vetëdijesuese si dhe është prezantuar një instalacion, që flisnin për rëndësinë e mbrojtjes dhe ofrimit të shërbimeve për fëmijët dhe familjet e cenueshme.

Drejtoresha e KOMF-it, Donjeta Kelmendi tha se përmes kësaj fushate synojnë që të mobilizojë vendimmarrësit dhe përgjegjësit kryesorë për sigurimin e mirëqenies sociale për të gjithë qytetarët dhe veçanërisht fëmijët.

Kjo sipas saj, me qëllim që të merren masa për ndërhyrjet emergjente të domosdoshme në ofrimin e shërbimeve sociale dhe familjare, të qëndrueshme e cilësore.

“Po e hapim fushatën nacionale me moton ‘Në dorën tane’. Qëllimi i fushatës është vetëdijesimi, sensibilizimi dhe mobilizimi i të gjitha institucioneve dhe ofruesve të shërbimeve në nivel komunal dhe qendror. Po ashtu, kjo fushatë është një thirrje edhe për deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilët kanë mandatin për të miratuar ligje që avancojnë gjendjen e fëmijëve dhe familjeve të cenueshme që kanë nevojë për shërbime sociale”.

“Duam ta përçojmë mesazhin se gjendja e fëmijëve dhe familjeve të cenueshme nuk është e mirë, ata kanë nevojë për mbështetje. Pa lënë anash, është një thirrje edhe për prindërit, të cilët kanë përgjegjësi kujdesin e fëmijëve të tyre”.

Kjo fushatë mundësohet në kuadër të projektit “Aksioni i Përbashkët për Decentralizim”, projekti financuar nga Bashkimi Evropian dhe i menaxhuar nga Zyra e BE-së në Kosovë, i cili implementohet nga Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF në partneritet me Organizatën për Fëmijët pa Kujdes Prindëror– OFAP, SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë dhe KMOP, dhe programit të Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile – KCSF ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.

Të ngjashme