Komisioni nuk miraton projekt-statutin e Trepçës si shoqëri aksionare

Prishtinë | 22 Jan 2019 | 12:21 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Nuk është miratuar projekt-statuti i Trepçës si shoqëri aksionare për shkak të mos harmonizimit të amandamenteve nga qeveria, sindikata dhe bordi i Trepçës, raporton Ekonomia Online.

Deputetet kanë kërkuar që të harmonizohen amendamentet derisa janë shprehur të gatshëm që pas kësaj ta votojnë.

Përfaqësuesi i bordit të Trepçës, Naser Peci ka thënë se miratimi i statutit i hap rrugë Trepçës.

“Ne i kemi përkrah çështjet sociale dhe i përkrahim mirëpo kemi mendu që nuk duhet me u ngarku statusi me çështje të tilla.  Sipas statutit pritet të formohet bordi menaxhues i Trepçës sepse është shumë me rëndësi për Trepçën. Statuti është derivat i ligjit, është dokument themelues që na hap shumë rrugë. Kolona e tretë është e përafërt”, tha ai.

Deputeti i VV-së, Liburn Aliu ka thënë se statuti qe është sjellë është i njëjtë me statutin e herës së kaluar dhe se këtë statut duhet bërë nga qeveria dhe bordi duke porositur që kuvendi mos të përzihet në hartimin e tij.

“Statuti qe na ka ardh është i njëjti siç ka qenë, vetëm se kemi një dokument të bashkangjitur që paraqet marrëveshjen mes qeverise dhe sindikatës. Po ashtu jam dakord që edhe asetet të jenë pjesë e statutit por mendoj që rruga më e shpejt dhe efikase është që bordi bashkë me qeverinë ti evidentojnë vërejtjet. Nëse ne si kuvend e marrim përsipër me perpilu statutin ne bimë në kundërshtim me ligjin. Bordi duhet me e pru një statut qe kuvendi e miraton, por bordi e ka pru një statut të njëjtë. Nëse ne i shtime duart në statut ne hymë në një grup të gjerë, e pastaj për interesa partiake nuk pajtohet. Shumë më shpejt e kryen qeveria bashkë me bordin”, tha ai.

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka thënë se draft-statuti duhet bërë nga aksionarët dhe vetëm atëherë mund ta votojnë.

“Çështjet e para që janë ngrit kanë qenë qe ne si deputet nuk kemi të drejtë të bëjmë amendamente, amendamente që assesi nuk ka të drejtë ti aprovoj komisioni por të aprovohen në seancë. Kanë qenë një numër i madh i aseteve në statutin e kaluar që nuk kanë qenë të përfshira. Ne si deputet jemi në gjendje të kthehemi këtu dhe t’ia japim votën një draft-statuti që e kanë bërë aksionarët. Përgjegjësia është e aksionarëve”, tha ajo.

Deputeti i PSD-së, Dardan Sejdiu tha se nuk duhet të përsëritet gabimi me statut ashtu siç është gabuar me ligjin për Trepçën.

“Ky ligj si i tillë ka probleme. Nuk po kem guximin as ndërmarrje publike ti themi. Nuk kemi nevojë me gabu me statut ashtu siç kemi gabu me ligj. Bordi le ta bëjë punën e vet, le ta sjellë dokumentin final. Unë nuk e di, Trepça a trajtohet si ndërmarrje publike. Unë jam plotësisht i sigurt që nëse qeveria, sindikata e bordi ulen, unë sot pasdite mund të vi e ta votoj. Kërkesa ime si deputet është që të sillni një statut të dakorduar”, tha ai.

Deputeti i AAK-së, Muharrem Nitaj kërkoi përgjegjësi nga bordi i Trepçës pse nuk është përpiluar drafti final i statutit.

“Këtu ka një lloj ngatërrese. Zt. Peci pse ju nuk e keni hartu një draft final të statutit. Pse ju nuk e keni kry detyrën e juaj dhe ta sjellin draftin final. Unë po besoj që këtu ka pas telashe me metodologjinë e punës dhe kornizën e përpilimit të draftit. Bordi le ta marr përgjegjësinë dhe të nënshkruhet në fund bordi i shoqërisë aksionare që në fund ne të votojmë apo jo”, tha ai.

Deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi u bëri thirrje bordit të Trepçës që të mundohen më shumë dhe të harmonizohen.

“Ka muaj që neve na ka mbet në derë projekt-statuti dhe si procedurë ne kemi mund me votu më herët, por kemi pas pakënaqësi. Sot kemi një konflikt mes procedurës dhe përmbajtjes. Nuk është çështje e pamundshme me u miratu statusi i Trepçës vetëm mundohuni pak”, tha ai.

Shyqyri Sadiku, kryetar i sindikatës tha se problemet që kanë ardhë janë si pasojë e mosfunksionimit të bordit.

“Krejt prolongimet që kanë ardhë janë nga bordi i Trepçës sepse nuk kanë dashtë me bashkëpunuar me sindikatën. Bordi nuk ka dashtë me i fut kërkesat tona dhe na kanë futë në grevë. Unë mendoj që draft-statusi të futet me vërejtje tona”, tha ai.

Të ngjashme