Komuna e Ferizajt: Deputetja e VV-së Shqipe Metaj-Isufi publikoi informacion të pavërtetë

Prishtinë | 23 Qer 2023 | 15:08 | Nga Ekonomia Online

Deputetja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Shqipe Metaj Isufi postoi në rrjetin e saj në Facebook se “Problemi i mësimit në katër ndërrime, me orë mësimore 25-minutëshe në shkollën “Gjon Serreçi” në Ferizaj, do të marrë fund, pasiqë Qeveria Kurti ka ndarë mjetet për ndërtimin e një aneksi shtesë në ish “Shaban Hashani” me qëllim të shtimit të dhomave të mësimit dhe krijimit të hapësirave të nevojshme për mësim”.

Nga komuna kundër reaguan duke thënë se deputetja Metaj-Isufi dha deklarat të paskat, të pavërteta dhe të paqëndrueshme dhe e shpërfaqin edhe një mungesë njohuri themelore mbi këtë çështje.

Sipas komunës ky projekt është ideuar, implementuar dhe hartuar e financuar nga buxheti i Komunës së Ferizajt dhe se “fare nuk ka të bëj me përkrahje nga Qeveria e Republikës së Kosovës, madje, shpeshherë roli i saj ishte pengues jo vetëm për këtë projekt por edhe projekte të tjera në fushën e arsimit”.

Reagimi i plotë nga Komuna e Ferizajt:

SQARIM PËR QYTETARËT

”Ditën e djeshme, Deputetja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Shqipe Metaj Isufi, përmes profilit të saj në rrjetin social “Facebook” lansoi informacion të pavërtetë mbi investimin në ish objektin e shkollës “Gjon Serreçi” si dhe për rrjedhojë edhe punën me ndërrime në këtë institucion arsimor.

Ajo në deklarimin e saj publik u shpreh se: “Problemi i mësimit në katër ndërrime, me orë mësimore 25-minutëshe në shkollën “Gjon Serreçi” në Ferizaj, do të marrë fund, pasiqë Qeveria Kurti ka ndarë mjetet për ndërtimin e një aneksi shtesë në ish “Shaban Hashani” me qëllim të shtimit të dhomave të mësimit dhe krijimit të hapësirave të nevojshme për mësim”. Madje, për më tepër, thelluar në këtë të pavërtetë, deputetja Metaj Isufi, shprehet se “Zgjidhja paska qenë e mundur”, “Vetëm është dashur angazhim serioz dhe punë me përkushtim që të marrë fund diskriminimi ndaj mësimdhënësve dhe fëmijëve të kësaj shkolle” deklarimet këto që përveç të pasakta, të pavërteta e të paqëndrueshme, shpërfaqin edhe një mungesë njohuri themelore mbi këtë çështje, duke e bërë subjektin deklarues, joserioz e madje qesharak.

Për të gjithë qytetarët e Komunës së Ferizajt, për hir të korrektësisë e peshës që ka informimi publik i qytetarëve mbi zhvillimet, projektet e nismat në nivelin lokal, Drejtoria e Arsimit e Komunës së Ferizajt, sqaron se planifikimi për ndërtimin e aneksit të shkollës “Gjon Serreçi” është bërë nga Drejtoria e Arsimit në Komunën e Ferizajt, nga Komuna e Ferizajt është hartuar gjithashtu projekti detal e poashtu ky projekt është i përfshirë në kodin buxhetor të Buxhetit të Komunës së Ferizajt, pra është projekt që është ideuar, projektuar, buxhetuar tërësisht me kapacitetin e Komunës së Ferizajt e që fare nuk ka të bëj me përkrahje nga Qeveria e Republikës së Kosovës, madje, shpeshherë roli i saj ishte pengues jo vetëm për këtë projekt por edhe projekte të tjera në fushën e arsimit.

Andaj, në shërbim të të vërtetës, i bëjmë thirrje deputetes Metaj Isufi që të mos shërbehet me gjuhën e propagandës, duke keqlexuar kodin buxhetor për ta paraqitur më pas si investim qeveritar, kur mirëfilli kushdo që ndonjëherë ka parë ndarjet buxhetore, e identifikon fare lehtësisht se në bazë të kodit buxhetor, ky projekt është i financuar nga niveli komunal – pra nga Komuna e Ferizajt.

Fakt vendimtar që shpërfaq panjohurinë e leximit të buxhetit nga ana e deputetes së lartcekur është se në tabelën ku theksohet projekti për ndërtimin e aneksit të shkollës fillore – ish Shaban Hashani në Ferizaj, janë të renditura të gjitha projektet investimore të arsimit në Komunën e Ferizajt, e që sipas logjikës së përdorur për qëllime propagandistike, i bie që të gjitha janë të financuara nga Qeveria e Republikës së Kosovës, e jo siç janë në të vërtetë – projekte të financuara me buxhetin komunal.

Kujtojmë se mësimdhënësit e nxënësit ferizajas, nuk meritojnë të tallen nga të zgjedhurit e tyre, as të përdoren për qëllime publicitare politike, porse të angazhohen sinqerisht të zgjedhurit e tyre, për t’i sjellë vërtetë Ferizajt projekte konkrete.”

Të ngjashme