Komuna e Istogut reagon për mbylljen e qumështores Vita, kërkon hapje të menjëhershme

Prishtinë | 02 Kor 2026 | 21:40 | Nga Ekonomia Online

Komuna e Istogut ka reaguar pas mbylljes së qumështores “Vita” nga disa inspektorate, duke e cilësuar këtë veprim si një goditje të rëndë për ekonominë lokale dhe zinxhirin e prodhimit të qumështit.

Sipas komunës, ky vendim ka ndikuar drejtpërdrejt te fermerët vendorë, punëtorët dhe gjithë ekonomia e komunës.

“Sot, qumështorja Vita është mbyllur pas një aksioni të zhvilluar nga disa inspektorate. Ky veprim ka shkaktuar shqetësim të madh në Komunën e Istogut, duke prekur drejtpërdrejt fermerët vendorë, qindra punëtorë dhe gjithë zinxhirin e prodhimit të qumështit”, thuhet në reagim.

Komuna thekson se “Vita” është një prej kompanive më të rëndësishme të industrisë së qumështit në vend dhe partner kryesor i shumë fermerëve lokalë.

“Vita është një nga kompanitë më të mëdha të industrisë së qumështit në Kosovë dhe partneri kryesor i shumë fermerëve të komunës sonë. Çdo ndërprerje e funksionimit të saj sjell pasoja të menjëhershme ekonomike për familjet që jetojnë nga prodhimi dhe grumbullimi i qumështit”, thuhet më tej.

Kryetari i Komunës së Istogut, Ilir Ferati, ka shprehur shqetësim për situatën dhe pasojat që, sipas tij, ka krijuar ky veprim.

“Kryetari i Komunës së Istogut, Ilir Ferati, shpreh shqetësimin e tij të thellë për mënyrën dhe pasojat e këtij veprimi, i cili ka krijuar pasiguri të madhe për fermerët dhe punëtorët e komunës sonë”, thuhet në reagim.

Ai ka kërkuar gjithashtu rihapjen e menjëhershme të qumështores, duke theksuar nevojën për trajtim institucional të çështjes.

“Kryetari Ferati kërkon hapjen e menjëhershme të kësaj qumështoreje, në mënyrë që të mos dëmtohen fermerët, punëtorët dhe ekonomia lokale, ndërsa çdo çështje tjetër të trajtohet në rrugë institucionale dhe me transparencë të plotë”, theksohet në reagim.

Komuna e Istogut ka deklaruar se do të qëndrojë në mbrojtje të prodhuesve vendorë dhe ekonomisë lokale.

“Komuna e Istogut do të qëndrojë fuqishëm në mbrojtje të fermerëve, punëtorëve dhe prodhimit vendor, si një nga shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik të komunës sonë”, përfundon reagimi i Zyrës për Informim dhe Komunikim.

Të ngjashme