Raportimi i Ekzekutivit të Prizrenit lidhur me realizimin e buxhetit të vitit 2018 ka ngjallur kritikat e këshilltarëve nga radhët e partive opozitare dhe atyre të koalicionit qeverisës, shkruan sot “Koha Ditore”.
Përderisa këta të fundit kanë kërkuar sqarime për realizimin e projekteve dhe subvencioneve, në anën tjetër opozitarët kanë akuzuar qeverisjen lokale për luks të tepruar në shpenzimet për drekat zyrtare, për karburante e mirëmbajtje të veturave, mobilie e pajisje, udhëtime jashtë vendit, etj.
Drejtori i Financave, Ertan Simitçi, ka pranuar se Komuna e Prizrenit “ka pasur shumë probleme lidhur me procesin e realizimit të buxhetit, pasi që ka qenë një mandat i ri, me Ekzekutiv të ri”.
“Kemi pasur disa sfida. Disa projekte të mëdha janë planifikuar me shuma të vogla financiare dhe mosrishikimi i buxhetit vjet nga niveli qendror kanë qenë sfida që ia kanë pamundësuar Komunës së Prizrenit realizimin e plotë të buxhetit”, ka thënë Simitçi.