Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës në detyrë, Glauk Konjufca, ka pritur sot në një takim lamtumirës ambasadorin e Mbretërisë së Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, me rastin e përfundimit të mandatit të tij diplomatik.
Gjatë takimit, Konjufca e falënderoi ambasadorin Westerlund për angazhimin dhe kontributin e dhënë në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Suedisë, duke vlerësuar rolin e tij në thellimin e bashkëpunimit dypalësh, thuhet në njotimin e ministrisë.
Ai theksoi se Suedia ka qenë një mbështetëse e rëndësishme e Kosovës në proceset e zhvillimit dhe integrimit, ndërsa nënvizoi rëndësinë e vazhdimit të partneritetit në kuadër të perspektivës evropiane të Kosovës, si dhe zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.
Në fund të takimit, Konjufca i uroi ambasadorit Westerlund suksese në detyrat e ardhshme, duke shprehur mirënjohje për bashkëpunimin e shkëlqyer gjatë mandatit të tij në Kosovë.