Kontejnerë të stërmbushur me mbeturina në kryeqytet – Qytetarët bëjnë thirrje për shqiptim të gjobave

Prishtinë | 23 Tet 2023 | 10:36 | Nga Valmire Abdullahu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Qytetarët kritikojnë Komunën e Prishtinës dhe kompaninë “Pastrimi” se nuk janë duke menaxhuar mirë largimin e mbeturinave, pasi kontejnerë të stërmbushur mund të shihen në shumicën e lagjeve të kryeqytetit.

Qytetarë të intervistuar nga Ekonomia Online thanë se edhe një pjesë e qytetarëve janë të papërgjegjshëm, dhe kërkojnë të nisë shqiptimi i gjobave “sikur në çdo qytet të zhvilluar të botës”.

Teuta Danuzaj tha se përkundër rritjes së numrit të banorëve, numri i kontejnerëve nëpër lagje ka mbetur i njëjtë.

Sipas saj, as orari i mbledhjes së mbeturinave nga kompania “Pastrimi” nuk është i mjaftueshëm. Ajo thotë se duhet të shqiptohen edhe gjoba ndaj qytetarëve të pandërgjegjshëm.

“Faji është i dyanshëm. Fillimisht, Komuna duhet me pasë orare më të shpeshta, duke marrë parasysh numrin e madh të banorëve që e kemi në Prishtinë. Lagjet po rriten, numri i banorëve po rritet, ndërsa pikat e mbeturinave janë shumë të pakta… Jemi disa  banesa dhe janë vetëm 3 kontejnerë; do të thotë është numri shumë i vogël i kontejnerëve si dhe orari i mbledhjes së këtyre mbeturinave prej kompanisë së ‘Pastrimit’ nuk është i mjaftueshëm. Në anën tjetër, mendoj qe edhe qytetarët janë të papërgjegjshëm”.

“Thjesht mendoj që kemi nevojë për disa rregullore qe parashohin gjoba për qytetarët e papërgjegjshëm. Kjo është shumë e nevojshme, mirëpo nevojitet një qasje e dyanshme për me arritë pastërtinë brenda kryeqytetit. Mendoj që gjobat kishin me qenë shume efikase”.

Fatmir Murati tha se që qytetarët të bëhen më të përgjegjshëm dhe se duhet të ketë dënime të larta.

“Shteti i ka fajet. Duhet me pasë ligj që i dënon ata. Unë jam n’zor; për veti e pastroj, por gjuajnë prej nalt; e lajmëron Policinë, kurrkush s’merret. Nëse s’ka ligje kurrkush nuk e mban pastërtinë”.

Edhe Elmi Rrahmani tha se komuna duhet me ndërmarrë masa, edhe pse thotë se fajin më të madh e kanë qytetarët, raporton EO.

“Fajin ma të madhe e kemi ne qytetarët, Komuna po mundohet në të veten, po na qytetarët pse me gjujt. Shiko sa qytetarët, çdo polic nuk mundet me u angazhu… Por ne duhet me qenë të vetëdijshëm. Kur po vijnë ata prej jashtit, prej Gjermanisë prej Zvicrës, atje nuk guxojnë me gjuajt, po këtu e gjuajnë edhe ata bërllokun”.

Xhelush Dauti tha se pastrimi duhet që të bëhet me kohë nga Komuna e Prishtinës ngase qytetarët po pagujanë për shërbimet.

“Komuna i ka fajet. Komuna duhet me i pastru e rregullu. Nuk shkon një ditë po, e një jave jo. Qytetarët nuk mund t’i fajësoj, qytetari po ia paguan paret Komunës. Komuna është e obliguar me mbajtë pastërtinë edhe rregullin në qytet”.

Përderisa Ali Kuqi tha se qytetarët nuk duhet që të jenë dembelë, por duhet t’i hedhin mbeturinat në vendin e caktuar.

“Qytetarët duhet me qenë pak më të kulturuar. Komuna s’ka faj hiq, Komuna i kryen ato obligimet e veta. Qytetarët i kanë fajet vet se janë dembelë e i gjujn te dera, e i lajnë nëpër rrugë mbeturinat. Qytetarët duhet me i dënu me pare, atëherë ai nuk i gjuan”.

Edhe Gjon Hajdari konsideron se qytetarët duhet të jenë të vetëdijesuar për mbajtjen e pastërtisë. “Neve na mungon kultura në përgjithësi… Nuk shkon me hedhë në kontejner, por e gjuan prej kerrit”.

“Komuna duhet përmes televizionit, përmes shtypit, internetit, me reagu dhe me i vetëdijesu njerëzit. Nuk ka rrugëdalje tjetër, me dënime kurrgjë nuk bën”.

Të ngjashme