Kontejnerët “made in Kosova” në tregun ndërkombëtar – Në Lipjan përurohet fabrika “GAMP”, investim 7 milionësh kosovar-gjerman

Lipjan | 23 Qer 2023 | 18:59 | Nga Hana Lohaj

Në Lipjan është përuruar fabrika e kontejnerëve modularë “GAMP”, një investim shtatë milionë euro i një kompanie kosovare dhe një gjermane. Pothuajse qind për qind e këtij prodhimi ka destinim tregun ndërkombëtar, raporton Ekonomia Online.

Fabrika 7 mijë m² shtrihet në 20 mijë m² në fshatin Konjuh të Lipjanit dhe është arritur të ndërtohet për gjashtë muaj.

Bashkëinvestitori Valon Vataj, pronar i kompanisë “KAWA”, bashkë-investitor, është i lumtur që po hapen vende të reja pune dhe që prodhimet “made in Kosova” do të “pushtojnë” tregjet ndërkombëtare.

“Kompania GAMP ka filluar si rezultat i bashkëpunimit të mirë që e kemi pasur paraprakisht me Bajram Halitjahajn, i cili është afarist në shtetin gjerman. Ka qenë si ide që të fillojmë një prodhim unik. 99 për qind e këtij prodhimi do të destinohet për treg ndërkombëtar”, u shpreh ai.

“Ky investim ka filluar te marrë formë më 23 dhjetor. Me Bajram Halitjahajn,  arritëm të krijojmë në këtë hapësirë prej 20 mijë m², një fabrikë prej 7000 m². Prodhimet e kësaj fabrike do të shpërndahen në gjithë botën. Përderisa ne po flasim kompania ka arritur të bëjë dy kontrata. Dinamika ka qenë jashtëzakonisht e madhe dhe sigurimi i makinerive ka qenë tejet i vështirë për t’u arritur brenda një periudhe kaq të shkurtër – gjashtëmujore. Fabrika ‘GAMP’ kap vlerën investuese prej hiç më pak se 7 milionë euro nga kompanitë ‘KAWA’ dhe ‘Amiri’”.

Bashkëpunëtori dhe bashkëinvestitori Bajram Halitjaha tregoi për rrugëtimin dhe angazhimin e tij 29-vjeçar në Gjermani.

“Si fillim kompania ‘GAMP’ do bëjë plot 75 eksporte të rregullta për furnizimin e tregut evropian me kontejnerë (shtëpi) modulare nga metali të cilat shërbejnë për zyre dhe banim nëpër punishte gjithandej Evropës”, tha ai.

E kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, i cili mori pjesë në përurim, u krenua me punën e biznesmenit suharekas.

“Valoni është një djalë nga komuna e Suharekës që po bën investime gjigande. Më vjen mirë që ka bërë një investim shtatë milionësh dhe që po krijon vende të reja të punës”.

Vëshgues e konsultues gjermanë ishin të pranishëm duke zgjedhur fjalët më të mira për fabrikën “GAMP” dhe duke u uruar pronarëve dhe punëtorëve punë të mbarë e suksese të vazhdueshme.

Në fund u shfaq një dokumentar disa minutash ku u tregua rrugëtimi gjashtëmujor i partnerëve investitorë në themelimin dhe ngritjen e kësaj fabrike. Pajisjet e teknologjisë së fundit janë ato që do ta bëjnë prodhimin e këtyre kontejnerëve unikë dhe superiorë.

E lumtur me suksesin e Valonit u shpreh bashkëshortja e tij, këngëtarja Albina Kelmendi. Ajo tha për Ekonomia Online se shpreson që investimi që është bërë të ndikojë sadopak në uljen e largimit të të rinjve nga Kosova.

“E di sa sfiduese ka qenë per Valonin, bashkëpunëtorët e punëtorët e tij për ta përfunduar për një kohë kaq të shkurtër”, tha ajo.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme