Kosova anëtarësohet në Nën – Grupin Verior të Rajonit të Evropës në Organizatën Botërore të Doganave

Prishtinë | 23 Jan 2024 | 14:27 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka njoftuar qytetarët se Kosova ka arritur të anëtarësohet në nëngrupin verior të Rajonit të Evropës në Organizatën Botërore të Doganave (OBD).

Kështu ka bërë të ditur Ministria e Financave përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”.

Në njoftim thuhet se “Ndonëse Kosova është anëtarësuar në Organizatën Botërore të Doganave në vitin 2017, deri më tani nuk ka pasur mundësi të përfaqësohet në rajon gjeografik dhe rrjedhimisht nuk ka marrë pjesë në proceset e politikëbërjes, si një nga qëllimet kryesore të OBD-së”.

“Përfaqësimi i Kosovës në grupin e rajonit gjeografik është tejet i rëndësishëm për arsye se pikërisht trupat rajonalë të OBD-së janë të përfshirë në dizajnimin dhe zbatimin e politikave si dhe në promovimin e tregtisë dhe zhvillimit”, thuhet ndër të tjera.

Pjesëmarrja e Kosovës në nivelin politikëbërës të OBD-së e fuqizon atë në nivelin ndërkombëtar duke rritur bashkëpunimin me vendet anëtare të OBD-së.

Të ngjashme