Ekonomia Online
FUNDIT

Kosova dhe masat e BE-së: Një ngërç me pasoja të zgjatura

Kosova dhe masat e BE-së: Një ngërç me pasoja të zgjatura

Masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian nuk e kanë detyruar Qeverinë e Kosovës të ndryshojë kursin e saj, por kanë pasur ndikim në mirëqenien e qytetarëve. Pa një konsensus të qartë brenda BE-së se kur mund të hiqen, pasiguria vazhdon të formësojë situatën. Njëzet muaj pas ngrirjes së fondeve për Kosovën dhe pezullimit të vizitave të […]

Njëzet muaj pas ngrirjes së fondeve për Kosovën dhe pezullimit të vizitave të nivelit të lartë, Bashkimi Evropian vazhdon të refuzojë heqjen e këtyre masave, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të Prishtinës, por edhe të Parlamentit Evropian.

Në një përgjigje dhënë Radios Evropa e Lirë, një zëdhënës i bllokut tha se “masat e përkohshme të BE-së janë të kthyeshme dhe Këshilli tashmë ka vendosur kushte për heqjen graduale të tyre, të cilat lidhen me marrjen e hapave nga Kosova për uljen e tensioneve në veri”.

Klisman Kadiu, nga Zyra e zëvendëskryeministrit të parë të Kosovës, Besnik Bislimi, nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse Qeveria e vendit ka ndonjë sinjal se kur do të hiqen masat e BE-së. Ngjashëm, nuk u përgjigj as sa llogaritet të jenë humbjet nga to.

BE-ja e ndëshkoi Kosovën në qershor të vitit 2023, për shkak të, siç vlerësoi, rolit të kryeministrit Albin Kurti në nxitjen e tensioneve etnike në veri të vendit – zonë e banuar me shumicë serbe.

Pavarësisht masave, Kurti nuk u zmbraps, hoqi nga përdorimi dinarin serb, mbylli shumicën e institucioneve të Serbisë dhe e mbrojti këtë politikë si shtrirje të autoritetit.

Në disa raste, ai i cilësoi si të padrejta masat e BE-së, duke thënë se nuk mund të bëjë kompromise me sundimin e ligjit dhe kushtetutshmërinë e vendit.

BE-ja nuk bëri të ditur se cilat projekte konkretisht janë prekur nga pezullimi i fondeve për Kosovën. Por, burime të Radios Evropa e Lirë morën vesh se ato variojnë nga kultura deri tek infrastruktura dhe se vlera e tyre arrin deri në 100 milionë euro.

Fisnik Osmani, kryeshef ekzekutiv i Ngrohtores së Qytetit të Prishtinës “Termokos”, konfirmon se një projekt i ndërmarrjes për dyfishimin e kapaciteteve të ngrohjes në kryeqytet, është pezulluar, për shkak të ngrirjes së një granti prej 17.6 milionë eurosh nga Bashkimi Evropian.

Këto mjete, thotë ai, ishin pjesë e programit IPA, që u ofron asistencë financiare dhe teknike vendeve që synojnë BE-në, por që në rastin e Kosovës është bllokuar.

“Sanksionet e BE-së e kanë dëmtuar në masë të madhe zhvillimin ekonomik të Kosovës. Në këtë rast, fatkeqësisht, është dëmtuar edhe Ngrohtorja e Qytetit, e rrjedhimisht edhe qyteti i Prishtinës dhe qytetarët e tij”, thotë Osmani për programin Expose të Radios Evropa.

Ai tregon se projekti në total kushton 65 milionë euro, se mbi 15 milionë euro do të garantohen nga Qeveria dhe Komuna e Prishtinës, ndërsa pjesa tjetër do të sigurohet përmes kredive.

Osmani thotë se punimet është dashur të nisnin këtë vit, por se tani nuk është e sigurt.

Ai, po ashtu, tregon se “Termokos”-i aktualisht mbulon mbi 25.000 familje në Prishtinë dhe se me projektin e ri, ky kapacitet do të dyfishohej dhe, rrjedhimisht, do të ulej konsumimi i energjisë elektrike dhe ndotja e ajrit.

Të ngjashme