Pa marrëveshje për krijimin e institucioneve të reja, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike do t’ia mësyjnë seancës konstituive të Legjislaturës së shtatë, duke e vazhduar traditën e deritashme të bllokadave paszgjedhore.
Pas më shumë se dy muajsh negociata, kumtin për mosarritjen e marrëveshjes e ka dhënë pretendenti për kryeministër, Albin Kurti, përmes një videoje të publikuar në “Fecebook”. Aty, Kurti ka shpalosur katër kompromiset e bëra për LDK-në, në mënyrë që t’i hapet rruga marrëveshjes për bashkëqeverisje. Ndërsa për LDK-në ka thënë se nuk e ka bërë asnjë ofertë, shkruan sot “Koha Ditore”.
Sipas kryetarit të VV-së, oferta që u refuzua më 24 dhjetor ka pasur tri pika. Në të parën, të cilën e ka paraqitur Kurti, VV-së si parti e parë i takojnë kryetari i Kuvendit dhe nënkryetari i parë, LDK-së i takon nënkryetari i dytë.
“Le ta bëjmë rokadën midis kryeparlamentarit dhe nënkryetarit të dytë të Kuvendit. Kryeparlamentarin e merr LDK-ja, ndërkaq nënkryetarin e dytë VV-ja”, ka thënë Kurti. Sa i përket çështjes së presidentit, që prodhoi mospajtimin kryesor, propozimi i VV-së është që kjo më së miri të lihet për më vonë.