Kosova edhe këtë muaj mund të mbetet pa vaksina, MSH s’ka informata se kur do të furnizohemi

Prishtinë | 25 Mar 2021 | 12:14 | Nga Ekonomia Online

Ministrisë së Shëndetësisë nuk i është kumtuar asnjë datë e saktë për furnizimin e vendit me vaksina Anti-COVID, ndonëse furnizimi me to është premtuar njëherë në muajin shkurt e pastaj në muajin mars. Edhe pse kanë mbetur një javë para përfundimit të muajit mars, Kosova ka gjasa që as këtë muaj të mos marrë asnjë dozë të vaksinës, raporton Gazeta Express.

Ndonëse ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj kishte thënë se Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret për tu furnizuar me këto vaksina, për dallim nga vendet tjera, furnizimi nuk ka filluar ende.

Nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë për Express se atyre nuk ju është dhënë asnjë datë e saktë nga COVAX se kur do të mund të vijnë vaksinat në Kosovë.

“MSh-së nuk i është dhënë një datë e saktë nga COVAX kur mund të vijnë vaksinat e para kundër COVID-19 në Kosovë. Kurdo që do të ketë diçka definitive qoftë nga COVAX, apo partnerë të tjerë, publiku do të informohet me kohë, pasi që procesi i vaksinimit, shoqërohet edhe me një fushatë informuese për grupet që do të vaksinohen të parat se ku dhe si do ta bëjnë këtë”, kanë thënë zëdhënës për informim.

Mirëpo, ndonëse nga Ministria e Shëndetësisë thonë se nuk u është dhënë asnjë datë e saktë nga COVAX për furnizim, zëdhënës në Aleancën e Vaksinave “Gavi” se kur do ta furnizojnë vendin me këto vaksina, kanë thënë që për datat e furnizimit të kontaktohet Qeveria e Kosovës.

Nga kjo aleancë kanë thënë se janë duke punuar që javën e ardhshme të publikojnë një hartë për furnizime në internet.

“Për informacion specifik mbi datat e dorëzimit të vaksinave, ne ju inkurajojmë të kontaktoni qeverinë tuaj, pasi po menaxhojmë shpërndarjen për 190 pjesëmarrës që nuk kemi specifikat për secilin vend. Tani jemi duke punuar në një hartë të dërgesave në internet, të cilat shpresojmë të shfaqen javën e ardhshme”, është thënë nga kjo aleancë.

Derisa Kosova nuk ka arritur të marrë asnjë dozë të vaksinës Anti-COVID, përfaqësues të punëtorëve shëndetësor kanë kritikuar ish-Qeverinë dhe Ministrinë e Shëndetësisë për mostransparencë në këtë proces.

Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, ka thënë për Express se nga ish-Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë nuk ka pasur transparencë të gjendjes reale sa i përket furnizimit dhe marrëveshjeve.

Ai ka thënë se me donacione nuk mund të mbahet sistemi shëndetësorë.

“Unë kam kritikuar ish-Qeverinë dhe Ministrinë e Shëndetësisë për mostransparencë të gjendjes reale sa i përket kontraktimit dhe marrëveshjeve të mundshme dhe kohës së furnizimit.. Ne nuk dimë as cilat janë lobimet konkrete për liferim, nuk ka asgjë të qartë, a kemi bërë kontratë me dikë, apo a janë paguar këto doza. Gjithë çka dimë është se na kanë premtuar donacione. Nuk mbahet sistemi shëndetësorë me donacione”, ka deklaruar ai.

Kujtojmë që COVAX tashmë ka furnizuar disa shtete, përfshirë këtu edhe Shqipërinë me vaksina Anti-COVID, por që përkundër premtimeve se vendi do të furnizohej në shkurt e në mars të këtij viti, një gjë e tillë nuk është bërë.

Të ngjashme