Emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, në një konferencë me gazetarë, ka folur edhe për vendimin e Qeverisë së Kosovës që nga 1 janari 2025 të lejojë hyrjen e qytetarëve të Bosnje e Hercegovinës vetëm me karta të identitetit në Kosovë. Sarrazin në pyetjen e Gazetës Express për këtë çështje, ka thënë se ky është një hap pozitiv i Kosovës dhe se kjo është fryma e vërtetë e Procesit të Berlinit.
Është nja hap pozitiv. Ky është shpirti i vërtetë i Procesit të Berlinit dhe ka një impakt pozitiv për ata që mbajnë pasaportë të Bosnje e Hercegovinës”, ka thënë Sarrazin, shkruan Gazeta Express.
I pyetur nëse Gjermania do të ndërmarrë veprime për të bindur edhe palën tjetër që të heq regjimin e vizave për Kosovën, Sarrazin ka thënë se Berlini zyrtar që nga nëntori i vitit 2022 ka bërë presion dhe ka bërë përpjekje për të bindur Republika Srpskan e Millorad Dodik që të heqë bllokadën për të mundësuar zbatimin e marrëveshjes për lëvizje të lirë në mes të Bosnjës dhe Kosovës.
Sarrazin ka thënë se Gjermania do të angazhohet për këtë çështje dhe e ka bërë të qartë që heqja e bllokadës nga Dodik është diçka shumë e rëndësishme.
“Gjermania qe nga nëntori 2022 ka bërë presion dhe ka kërkuar, dhe ka bërë përpjekje për te bindur Republika Srpskan për të hequr veton kombëtare. E kemi bërë të qarte që kjo është shumë e rëndësishme”, ka thënë Sarrazin.
Megjithatë emisari gjerman e ka bërë të qartë që s’do të ketë “sheqera” për Dodikun në këmbim të heqjes së vetos kombëtare dhe mundësimit të heqjes së regjimit të vizave për shtetasit e Republikës së Kosovës.
“E kemi bere te qarte qe s’do te japim sheqera për këtë, s’do te paguajmë”, ka thënë Sarrazin.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar të hënën nga Berlini se që nga 1 janari 2025, Republika e Kosovës do të lejojë shtetasit e Bosnje e Hercegovinës që të futen në territorin e Republikës së Kosovës vetëm më letërnjoftim të BeH. Ky veprim i Kosovës është duartrokitur edhe nga kancelari gjerman, Olaf Scholz, që e ka përmendur edhe në konferencën e mbajtur për media.