Kosova interesohet për hapjen e ambasadës në Varshavë

Prishtinë | 25 Sht 2018 | 15:22 | Nga

Për Kosovën Polonia mbetet një aleat strategjik në Evropë dhe më gjerë, andaj me qëllimin e thellimit të mëtejme të marrëdhënieve në mes dy vendeve dhe dy popujve vendi Kosova ka shprehur interesimin e lartë për të vendosur marrëdhënie diplomatike dhe për të shqyrtuar mundësitë e hapjes së Ambasadës së Kosovës në Varshavë.

Kështu ka thënë zëvendësministrja e Jashtme e Republikës së Kosovës, Rejhan Vuniqi, pas një pritje që i bëri delegacionit të lartë shtetëror polak, të kryesuar nga Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Polonisë,  Szymon Szynkowski vel Sek.

“Siç ka theksuar edhe Ministri Pacolli, vendosja e themeleve solide në lidhjet politike dhe ekonomike midis Kosovës dhe Polonisë janë dy nga prioritetet e Kosovës. Avancimi i marrëdhënieve bilaterale midis Kosovës dhe Polonisë është në përputhje të plotë me parimin e politikës së jashtme të Polonisë për të mbështetur integrimin e rajonit në strukturat euroatlantike dhe për të mbështetur paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”, është shprehur Zëvendësministrja Vuniqi.

Në kuadër të këtij takimi është diskutuar edhe mbi agjendën evropiane, respektivisht zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit (SAA), marrëveshjes Kosovë-BE mbi programet e BE-së, liberalizimin e vizave, procesin e Berlinit, Dialogun me Serbinë, ndërkohë që është kërkuar edhe mbështetja e shtetit polak për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL.

Qëllimi i kësaj vizite zyrtare të delegacionit të lartë të shtetit polak në vendin tonë ishte fillimi i përgatitjeve të Samitit të ardhshëm të Ballkanit Perëndimor, i cili vitin e ardhshëm do të mbahet në Poznan të Polonisë.

“Rreth Procesit të Berlinit, ju përgëzoj që do të jeni nikoqir i Samitit të Ardhshëm, dhe besoj se do të kontribuoni, që të kemi të arritura akoma më konkrete. Ne jemi të gatshëm që të punojmë shumë ngushtë në këtë drejtim”, ka thënë Vuniqi.

Të ngjashme