Nxënësit kosovarë të shkollave të mesme, Elita Hajrizi, Liburn Bajraktari, Flokart Pajaziti, Gëzim Morina dhe Rigon Statovci, nën mentorimin e rektorit të UBT-së, Edmond Hajrizi, do të jenë përfaqësuesit e Kosovës në garën më të madhe ndërkombëtare në fushën e robotikës, FIRST Global Challenge, që do të mbahet në SHBA, më 14-18 korrik të këtij viti.
Pjesë e kësaj gare do të jenë të rinj nga 164 shtete të ndryshme të botës, të cilët do ta sfidojnë njëri-tjetrin përmes dizajnimit dhe programimit të një roboti, për ndërtimin e të cilit përfshihen dhe nevojiten aftësi, ide dhe kreativitet në fushën e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës.
FIRST Global është garë që i inspiron të rinjtë të mësojnë aftësitë që u duhen për të bërë shpikje, që prindërit dhe gjyshërit e tyre do i konsideronin vetëm mrekulli, gjëra të pamundura ose plane fiktive shkencore., teksa synon që përmes pjesëmarrjes së tyre në këtë garë ndërkombëtare, të ndërtojë ura ndërmjet nxënësve të shkollave të mesme, me prapavijë, gjuhë, fe dhe zakone të ndryshme.
Elita Hajrizi, e cila është pjesë e ekipit garues nga Kosova, tha se është shumë optimiste se ekipi i tyre do të fitojë, e kjo, falë bashkëpunimit, ideve kreative dhe vullnetit të madh të tyre për punë.
“Tash është epoka e teknologjisë dhe ne mezi po presim që ta ndihmojmë botën me pjesë të ndryshme të teknologjisë. Përmes shfrytëzimit të teknologjisë, ne mund të krijojmë gjëra që po mungojnë në botë dhe ne mund t’ju ndihmojmë njerëzve, por edhe vetes tonë që të zhvillohemi edhe më shumë”, theksoi nxënësja Hajrizi
Pjesëtari tjetër i ekipit, Liburn Bajraktari vlerëson se garimi i tyre me kundërshtarë nga shtete tjera të botës do të jetë një përvojë e vështirë, por e paharruar për të, nga e cila pret të mësojë shumë gjëra të reja.
“Në këtë sfidë do të shohim se çfarë kanë krijuar bashkëmoshatarët tanë nga shtetet tjera dhe do ta kemi mundësinë t’i krahasojmë ato me punën që e kemi bërë ne”, u shpreh ai.
Në anën tjetër, mentori i punës së përfaqësuesve të Kosovës në këtë garë, prof. dr Edmond Hajrizi tha se një përvojë e tillë duhet të shërbejë si mësim për nxënësit pjesëmarrës dhe motivim për nxënësit e tjerë.
“Kjo garë do të jetë një sfidë e vështirë, por mbi të gjitha do të jetë një motivim për të rinjtë, të cilët e duan shkencën, teknologjisë, inixhinierinë e matematikën”, potencoi Hajrizi, teksa shprehu besimin për triumfin e ekipit kosovar në këtë garë.
“Duke e marrë në konsideratë motivimin e tyre, talentin dhe angazhimin, jam i bindur që do të jemi shumë të suksesshëm”.
Në fund të garës, FIRST Global Challenge do të ndajë 10 çmime të ndryshme për fituesit, si dhe do të ndahen edhe medalje të arta, të argjendta dhe të bronzta, teksa materialet e ekipeve fituese do të shfaqen nëpër mediat amerikane dhe botërore.
Sfida më e madhe e garës së sivjetme në FIRST Global Challenge do të jetë mundësimi i qasjes në ujë të pastër, që aktualisht është njëri ndër problemet më të mëdha me të cilin po përballet bota.