Kosova pranon 515 970 vaksina Pfizer, donacion nga presidenti Biden – liderët bëjnë thirrje për vaksinim

Prishtinë | 11 Shk 2022 | 14:46 | Nga Leonora Kolukaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kosova ka pranuar sot 515 mijë e 970 doza të vaksinës Pfizer/BioNTech, të siguruara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, raporton Ekonomia Online.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e cila mori pjesë në ceremoninë e organizuar me këtë rast, i ftoi qytetarët që të vaksinohen me dozën përforcuese kundër Covid-19.

Ajo tha se vaksina është beteja e vetme ndaj Coronavirusit dhe se tani, Kosova ka mjaftueshëm vaksina.

“Ne duhet të jemi falënderues për mbështetjen që kemi marrë nga miqtë tanë. Duke nisur nga SHBA dhe nga BE dhe shtetet e shumë organizata të tjera”, tha Osmani.

“Të gjithë mund të jemi të vetëdijshëm që po vaksinojmë të gjithë qytetarëve dhe me të drejtë vaksinimi është beteja me pandeminë. Sot kur kemi këtë sasi të konsiderueshme vaksinash duhet ta rrisim shpresën dhe përpjekjen me përballjen me virusin Covid-19. Sa më shumë vaksina aq më pak vdekje, sa më shumë vaksinim aq më shumë optimizëm, sa më shumë vaksinim aq më shumë shanse për hapje”, tha Osmani.

Kurti: Kosova ka arritur t’i mbajë në minimum kostot njerëzore

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe iniciativën COVAX për kontributin e tyre si dhe të gjithë atyre që kanë dhuruar dhe po vazhdojnë të dhurojnë në këtë iniciativë.

“Pandemia Covid-19 është një krizë botërore, e cila mund të adresohet në mënyrë efikase vetëm përmes bashkëpunimit të ngushtë ndërkombëtar. Dhe nuk ka asnjë fushë ku ky bashkëpunim ndërkombëtar është më i rëndësishëm, më jetik, sesa në përpjekjet për të siguruar shpërndarjen sa më të gjerë, sa më të barabartë, të vaksinave në mbarë botën. Kosova ka qenë përfituese e madhe e këtyre përpjekjeve”, është shprehur kreu i Qeverisë para të pranishmëve në ceremoni.

Teksa fliste për pandeminë me COVID-19, kryeministri Kurti theksoi se gati çdo vend i botës, përfshirë edhe Kosovën, është përballur me pasoja jo të lehta për jetën dhe shëndetin njerëzor. Megjithatë, shtoi ndër tjera ai, gjatë dy valëve më të fundit të virusit Corona, atyre të variantit Delta dhe të variantit Omicron, Kosova ka arritur t’i mbajë në minimum kostot njerëzore.

“Gjatë valës së variantit Delta, kemi pasur shkallë dukshëm më të ulët të humbjeve të jetës sesa vendet e tjera të Ballkanit, përkatësisht gati 2.5 herë më të ulët, për kokë banori, se sa mesatarja e këtyre vendeve. Ndërkaq, gjatë valës së variantit Omicron, e cila nuk ka përfunduar ende, vendi ynë përsëri po arrin ta minimizojë numrin e vdekjeve prej COVID-19, i cili numër, deri më tani, qëndron pothuajse gjashtë herë më i ulët, për kokë banori, sesa mesatarja e vendeve të tjera të rajonit”, tha ai.

Suksesi i Kosovës përballë varianteve Delta dhe Omicron, ka ardhur si rezultat i një fushate tejet të suksesshme të vaksinimit në masë, deklaroi më tej kryeministri, derisa veçoi se suksesin e fushatës së vaksinimit, Kosova nuk e ka arritur pa ndihmën e aleatëve të saj.

Në fjalën e tij, kryeministri Kurti, duke kujtuar përvojat nga valët e mëparshme nga COVID-19, tha se dëshmojnë qartë se vaksinimi në masë është shumë më efikas nëse ndodh para ardhjes së një vale të re të infektimeve dhe se për t’u përgatitur, për valën e ardhshme të virusit, është e domosdoshme që të vazhdojmë të vaksinohemi sa më masivisht. “Donacioni i sotëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes iniciativës COVAX, e bën të mundur vazhdimin e kësaj fushate. Dhe për këtë, jemi përjetësisht mirënjohës”, tha në fund të fjalës së tij, Kryeministrit i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

Hovenier: Donacioni i mjaftueshëm për të vaksinuar 30 për qind të popullsisë së përgjithshme të Kosovës me të dyja dozat

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, tha se SHBA-ja është donatorja më e madhe në Kosovë, pasi deri më tani ka dhuruar mbi 1 milion doza të vaksinës. Ai tha se Uashingtoni po ashtu ka mbështetur Kosovën me pajisje mjekësore gjatë pandemisë.

“Me donacionin e ri të SHBA-së, do të jetë e mjaftueshme për të vaksinuar 30 për qind të popullsisë së përgjithshme të Kosovës me të dyja dozat. SHBA-ja vazhdon të jetë e gatshme dhe e përkushtuar për të punuar me Qeverinë e Kosovës në luftën kundër COVID-19. Që të gjithë jemi së bashku në këtë luftë, ne jemi partneri juaj”, tha ambasadori Hovenier.

E ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi ka thënë se ky donacion është siguruar nga presidenti amerikan, Joe Biden. Latifi tha se stokut të vaksinave në MSH u janë shtuar edhe mbi 500 mijë vaksina kundër Covid-19.

“Po bëjmë pranimin e kontingjentit prej 515 mijë e 970 dozave të vaksinës kundër Covid-19 të siguruar nga presidentit i Shteteve të Amerikës Joe Biden dhe shteti mik i Kosovës. Me këtë dhuratë nga ShBA-të, stokut të vaksinave që MSh-ja i ka në dispozicion për qytetarët tanë i shtohen edhe mbi 500 mijë doza të tjera për të ndihmuar edhe më tej luftën kundër Covid-19”, ka thënë ai.

Ministri më tutje u ka bërë thirrje qytetarëve mbi moshën 12-vjeçare që të vaksinohen kundër Covid-19.

Në ceremoni ishin të pranishëm dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier dhe koordinatorja e Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, zonja Ulrika Richardson.

Në vitin 2021, Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kishin dhënë Kosovës edhe një donacion prej 538,200 doza të vaksinave përmes iniciativës COVAX.

Të ngjashme