Krasniqi për takimin e Kurtit me Macronin: A do t’i flasë edhe atij për lëng portokalli?

Prishtinë | 23 Qer 2021 | 17:10 | Nga Ekonomia Online

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së Rrezarta Krasniqi, ka reaguar lidhur me takimin e Kryeministrit Albin Kurti me Presidentin francez Emmanuel Macron, i cili pritet të zhvillohet në orët e mbërmjes së sotme.

Krasniqi, ka akuzuar për mungesë të transparencës Qeverinë Kurti, lidhur me temat që do të diskutohen në këtë takim.

“Më duhet t’ua rikujtojë se është po i njëjti politikan dhe po e njëjta parti që kanë kritikuar qeveritë e më parshme për mungesë të transparencës, derisa tani që kanë ardhur në pushtet i kanë harru kritikat e tyre. Transparenca 0”, ka shkruar ajo në një postim në profilin e saj në rrjetin shoqëror Facebook.

Postimi i plotë:

Kryeministri Kurti qenka nisur për t’u takuar me Presidentin francez Macron, pa bërë të ditur fare para Kuvendit të Kosovës, arsyjen e vizitës dhe temat e këtij takim, apo ndoshta do t’i flasë edhe atij për lëng portokalli, ngjashëm siç i foli dje edhe Ministrit të Jashtëm të Italisë Luigi Di Maio.
Më duhet t’ua rikujtojë se është po i njëjti politikan dhe po e njëjta parti që kanë kritikuar qeveritë e më parshme për mungesë të transparencës, derisa tani që kanë ardhur në pushtet i kanë harru kritikat e tyre. Transparenca 0.

Ndryshe Kurti, në takim me Ministrin e Jashtëm të Italisë Luigi Di Maio, ka thënë se i ka bërë përshtypje një etiketë në lëngun e portokallit që prodhohej në Itali e që shkruante se produkti është prodhuar duke respektuar të drejtat e punëtorëve.

“Derisa po e përgatisja këtë fjalim, vura re se në shishen e lëngut të portokallit që kisha përpara shkruhej më sa vijon: Ky produkt është prodhuar duke respektuar të drejtat dhe dinjitetin e punëtorëve dhe pa i shfrytëzuar ata. Ishte një produkt italian. Kosova importon nga Italia shumëçka. Më bëri përshtypje respekti për punën që reflektonte etiketa e këtij produkti. Nuk e di se a është situatat aq mirë si në etiketë, edhe pse produktet “Made in Italy” kanë një markë të mirë globale pikërisht sepse nuk gënjejnë me ato që shkruajnë në etiketa”, ka thënë Kurti, para deputetëve. 

Të ngjashme