Krejt çka ndodhi në protestën e ish-luftëtarëve të UÇK-së kundër vizitës së kryetares së Gjykatës Speciale

Prishtinë | 13 Maj 2025 | 14:54 | Nga Ekonomia Online

Vizita e kryetares së Gjykatës Speciale në Hagë, Ekaterina Trendafilova, në Kosovë, u prit me protestë nga ish- pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ish-luftëtarët shfaqën pakënaqësinë e tyre kundër mbajtjes në burg të ish-drejtuesve të UÇK-së Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, raporton Ekonomia Online.

Trendafilova anuloi  konferencën e paralajmëruar për media, siç u kumtua nga Specialja, për shkaqe sigurie.

Tensionohet protesta e veteranëve të luftës, hidhet tym i zi, ndërhyn policia

Tensione në protestën e Organizatës së veteranëve të luftës të UÇK-së kundër vizitës së kryetares së Gjykatës Speciale Ekaterina Trendafilova në Kosovë. Në protestën që mbahej në lagjen Marigona para hotelit ku është Trendafilova, u hodh tym i zi, raporton Ekonomia Online.

Policia e Kosovës ndërhyri dhe ua mora protestuesve mjetet që nxirrnin tym të zi.

Në protestë u dëgjuan shpesh brohoritjet “UÇK, UÇK…”.

Ish-luftëtarët kundër padrejtësisë dhe përpjekjes për shtrembërim të historisë

Veteranët para mediave thanë se kjo protestë është thirrur për të ngritur zërin kundër, sic thanë, një padrejtësie që po thellohet dhe ndaj një përpjekje të vazhdueshme për të shtrembëruar historinë tonë kombëtare, raporton Ekonomia Online.

‘‘Përfaqësuesit e organizatave të dala nga UÇK-ja, kemi thirrur këtë konferencë për të ngritur zërin ndaj një padrejtësie që po thellohet, dhe ndaj një përpjekje të vazhdueshme për të shtrembëruar historinë tonë kombëtare. Shprehim këto shqetësime dhe kërkesa legjitime, nën 1: Narrativa e njëanshme  e Dhomave të Specializuara, qasja selektive ndaj UÇK-së dhe anashkalimi i krimeve të kryera nga forcat serbe në Kosovë është e padrejtë dhe e papranueshme. Kjo e dëmton drejtësinë dhe paqen afatgjate në rajon’’, u tha nga veteranët.

Si pikë të dytë ata kanë përmendur atë që e kanë quajtur si ‘‘përndjekje’’ e ish-krerëve të UÇK-së.

‘‘Përdorimi politik i drejtësisë, nën 2: Përndjekja e ish krerëve të UÇK, shumë prej të cilëve kanë mbajtur edhe poste të larta shtetërore, duket si i motivuar politikisht dhe rrezikon vetë themelet e shtetit të Kosovës’’.

Tutje, ata kanë kritikuar edhe qasjen e Trendafilovas, duke thënë se  e njëjta ka pasur qasje të njëanshme.

‘‘Nën 3; Qasje shpërfillëse dhe e njëanshme e zonjës Trendafilova, paraqitjet e saj publike kanë treguar mungesë respekti për realitetin e luftës çlirimtare dhe për vuajtjet e popullatës shqiptare. Shpesh ka shpërfillur zërat e viktimave, veteranëve dhe qytetarëve të Kosovës, duke i cilësuar reagimet si presion ndaj drejtësisë, në vend se ti njoh si shqetësime të ligjshme’’, është thënë me tej nga veteranët.

Si pikë të katërt dhe të pestë, ata kanë theksuar se qindra masakra të kryera nga regjimi i Millosheviqit nuk janë trajtuar nga drejtësia ndërkombëtare dhe kanë potencuar po ashtu humbjen ‘’e besimit në procesin gjyqësor’’.

‘‘Nën 4, drejtësia e munguar për krimet serbe në Kosovë. Qindra masakra të kryera në Kosovë nga regjimi i Millosheviqit ende nuk janë trajtuar nga drejtësia ndërkombëtare.

Nën 5; Humbja e besimit në procesin gjyqësor. Mungesa e transparencës dhe perceptimi për drejtësi selektive kanë krijuar një hendek të thellë mes shoqërisë kosovare dhe Dhomave të Specializuara’’, thanë veteranët në protestë.

Protestuesit kërkuan mbylljen e Gjykatës Speciale, “marrinë e shekullit 21”

Në protestën e veteranëve të luftës kundër vizitës së kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova në Kosovë, u kërkua mbyllja e Gjykatës Speciale në Hagë, duke vlerësuar se drejtuesit e UÇK-së po mbahen padrejtësisht në burg, raporton Ekonomia Online.

“Kjo është marri e shekullit 21, kjo gjykatë speciale. Njerëzit t’ u mbrojt pragun e shtëpisë së vet akuzohen për krime. Kjo nuk ndodh kund në dynja në drejtësi. Vetëm në Kosovë ndodh. Nuk kemi udhëheqësi. Shteti nuk e mbron qytetarin e vet. Janë në Hagë pa asnjë faj. Duhet të mbyllet sa më shpejt ajo gjykatë”, tha një protestues.

Anulohet konferenca e Trendafilovës për çështje sigurie

Zëdhënësja e Gjykatës Speciale në Hagë, Angela Griep, bëri të ditur se konferenca për media e kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, në Kosovë është anuluar për arsye të sigurisë publike, raporton Ekonomia Online.

“Mund të konfirmoj që ngjarja e sotme është anuluar për arsye të sigurisë publike dhe bazuar në këshillën e Policisë së Kosovës. Kjo është gjithçka që mund t’ju them për momentin. Do të shohim më vonë për ndonjë informacion shtesë”, tha ajo.

Veteranët e UÇK-së festojnë anulimin e konferencës së Trendafiloves në Prishtinë

Veteranët e UÇK-së festuan me muzikë patriotike anulimin e konferencës për media të kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova.

Konferenca për media ishte paraparë të mbahej pikërisht në hotelin para të cilit protestonin veteranët  e luftës së UÇK-së, raporton Ekonomia Online.

Policia e Kosovën po e ruan Trendafiloven

Pas anulimit të konferencës së planifikuar për media në Prishtinë, kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, u kthye në hotelin, në të cilin po qëndron në kryeqytet, raporton Ekonomia Online.

Janë të paktën tri vetura të Policisë së Kosovës që ndodhen në hapësirën e këtij hoteli. Përveç tyre, ka edhe vetura të EULEX-it, të cilat e kanë sjellë kryetaren e gjykatës.

Trendafilova pritet që nesër në orën 13:00 të fluturojë drejt Hagës.

Jashari nga OVL e UÇK: Gjykata Speciale është padrejtësi ndaj luftës çlirimtare

Përfaqësuesi i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Xhavit Jashari, tha se Gjykata Speciale është një padrejtësi të madhe, që cenon themelet e shtetit dhe luftën për liri të UÇK-së.Në një intervistë për Ekonomia Online, ai tha se kjo gjykatë është themeluar mbi shpifjet e senatorit Dick Marty, për të cilat, sipas tij, nuk ka ende asnjë argument apo dëshmi. Jashari kritikoi institucionet e Kosovës për qëndrimin pasiv dhe theksoi se ngritja e aktakuzave ndaj udhëheqësve të luftës është një padrejtësi që cenon vetë lirinë e fituar me luftë.“Ju e dini që nuk e kemi njohur këtë gjykatë, e kemi kundërshtuar. Gabimi më i rëndë për popullin është që është dhënë mundësia që të formohet kjo gjykatë mbi shpifjet e senatorit Dick Marty. Nuk është argumentuar asgjë deri më tani nga ato shpifje, kinse UÇK ka bërë trafikim organesh. Institucionet e Kosovës nuk është dashur të rrinë duarkryq. Është dashur që të kërkohet argument mbi këto shpifje, mbi çdo gjë që po ndodh rreth luftës së UÇK-së. Të merret presidenti në pozitën e kryetarit të shtetit, të dërgohet në Hagë dhe të ngrihet një aktakuzë mbi shpifje. Mendoj që është padrejtësi e madhe dhe prek edhe në themelet e shtetit. Prek në lirinë, për të cilën kanë luftuar dhe është vulosur sot liria mbi luftën e tyre”, tha për EO, Jashari.

Të ngjashme