KRU “Prishtina” njofton për ndërprerje të furnizimit me ujë të pijshëm në disa qytete, shkak reshjet e fundit

Prishtinë | 21 Nën 2022 | 13:13 | Nga Ekonomia Online

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, ka njoftuar se si pasojë e reshjeve të dendura të shiut ditët të fundit, janë rritur edhe rrjedhjet sipërfaqësore në zonat fushore dhe të njëjtat në disa raste kanë përfunduar te kanali i Ibër Lepencit, kanal prej të cilit merret uji i pa përpunuar për tu trajtuar pastaj për pije ( ITU Shkabaj ).

Si shkak i kësaj, ka pasur nivel të lartë të turbullirës, nivel që bënë të pamundur trajtimin e ujit për pije,  konform standardeve dhe teknologjisë që posedojmë.

Përmes një komunikate për medie KRU “Prishtina”, ka njoftuar se janë detyruar të ndërpresin furnizimin me ujë të pijshëm për disa qytete e lagje të Prishtinës.  

“Me qëllim që të ruajmë kualitetin e ujit për pije, jemi të detyruar të ndërprejmë furnizimin me ujë të pijshëm Fushë Kosovën, lagjen “Kalabria” në Prishtinë ( një pjesë), Drenasin dhe Obiliqin. Përveç ndërprerjes së detyrueshme të furnizimit me ujë të pijshëm për këto zona, në momentin që kushtet lejojnë që uji të trajtohet dhe të garantohet cilësia e duhur pas trajtimit, ne do e rikthejmë gjendjen normale me trajtim dhe furnizim”, thuhet në komunikatën e KRU “Prishtina”.

“Ne kemi dhënë një orar për Komunën e Fushë Kosovës dhe iu kemi përmbajtur në përpikëri, edhe pse një numër i konsumatorëve janë ankuar se ujë nuk kanë ende. Arsyeja është që, pjesa dërmuese e konsumatorëve të Fushë Kosovës kanë rezervuar të mëdhenj në ndërtesa kolektive dhe derisa t’i mbushin ata me ujë, sasia e ujit që e ofrojmë harxhohet dhe se pikat e larta mbesin pa furnizim me ujë”, thuhet në komunikatën e tyre.

“Jemi mobilizuar të gjithë teknikisht edhe me akterët e tjerë si NH “Ibër Lepenci” për stabilizimin sa më të shpejtë të situatës. Deri në orët e pasdites gjendja është e tillë dhe nëse nuk ka reshje besojmë që pastaj  stabilizohet”, thuhet tutje në këtë komunikatë.

Të ngjashme