Kryediplomati gjerman paralajmëron pasoja për Dodikun: Po koordinohemi me ShBA-në

Prishtinë | 11 Nën 2021 | 18:20 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas i është bashkuar atyre që thonë se kriza aktuale në Bosnjë e Hercegovinë është jashtëzakonisht e rrezikshme dhe se për këtë arsye është e nevojshme të ndalen veprimet e autoriteteve të Republikës Srpska që kërcënojnë shpërbërjen e shtetit.

“Ajo që ne po shohim aktualisht në Bosnjë e Hercegovinë është kriza më e keqe politike që nga përfundimi i luftës në 1995 dhe unë ndaj këtë mendim”, tha ministri i Jashtëm gjerman në një intervistë për portalin e Sarajevës, Klix.

Ai theksoi se “politika shkëputëse e rrezikshme dhe e papërgjegjshme e qeverisë së RS” është përgjegjësja kryesore për një situatë të tillë. Ai përkujtoi se në atë ent tashmë kanë marrë vendim që ta themelojnë Agjencinë e tyre të Barnave dhe kështu të derogojnë nga roli i një agjencie të tillë në nivel shtetëror dhe tani me nxitjen e Millodar Dodikut synojnë të marrin një sërë masash të ngjashme që do ta rrezikonin pjesën tjetër të Forcave të Armatosura të BeH, gjyqësorin shtetëror dhe mbledhjen uniforme të taksave dhe detyrimeve.

Ai thotë se Gjermania nuk do të shikojë me duar të mbledhura

Kreu i diplomacisë gjermane tha se po funksiononte një politikë nacionaliste, e cila hapi plagë të vjetra dhe rrezikoi të ardhmen paqësore të Bosnjë e Hercegovinës.

“Kjo rrugë nuk zgjidh një problem të vetëm, por krijon shumë probleme të reja, veçanërisht për popullin e RS. Kriza e vazhdueshme e shoqëruar me kaos institucional, paralizë e reformave dëshpërimisht të nevojshme dhe tensione të vazhdueshme do të dëbojnë investitorët jashtë vendit, do ta rrisin papunësinë dhe intensifikojnë eksodin”, tha Maas.

I pyetur nëse Gjermania është e gatshme të ndërmarrë hapa konkretë, pra t’i sanksionojë përgjegjësit për sjelljen destruktive në BeH, Maas u përgjigj se qeveria në të cilën ai është anëtar nuk do të jetë ajo që do të vëzhgojë me krahët e mbledhur se çfarë po ndodh. Rrezikimi i paqes, shpjegoi ai, do të ketë pasoja të drejtpërdrejta.

“Ne nuk mund dhe nuk duam t’i drejtojmë paratë e taksapaguesve gjermanë te një ent që po punon në mënyrë aktive për ta shkatërruar Bosnjë e Hercegovinën si shtet. Dhe ne do të shqyrtojmë masa individuale kundër atyre që vënë në dyshim integritetin territorial të vendit”, tha ministri i Jashtëm gjerman, duke shtuar se Berlini aktualisht po koordinohet me partnerët evropianë si dhe me Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara, për hapat që mund të ndërmerren, transmeton Express.

Ai konfirmoi se Gjermania mbështet fuqimisht politikanin e saj Christian Schmidt si përfaqësues të lartë të komunitetit ndërkombëtar në BeH, duke përfshirë përdorimin e fuqive të gjera në dispozicion të tij.

Maas u bëri thirrje të gjithëve në BiH që të kthehen në zbatimin e reformave të nevojshme në vend të konflikteve, duke përfshirë ndryshimet në ligjin zgjedhor, por theksoi se kjo “nuk duhet të çojë në një thellim të ndarjeve ekzistuese etnike”.

Të ngjashme