Kryeinspektori i Punës lejohet të hyjë në kompaninë ku humbi jetën 22-vjeçari

Prishtinë | 26 Shk 2019 | 12:25 | Nga Ekonomia Online

Kryeinspektori i Punës, Basri Ibrahimi ka konfirmuar që sot së bashku me ekipin e tij janë lejuar të hynë në kompaninë e derivateve “Labi Oil”, aty ku humbi jetën 22 vjeçari, Krenar Jemeni.

Ibrahimi ka thënë se janë duke e analizuar vendin ku humbi jetën i riu nga Mushtishti dhe në orët e pasdites do të dalin me një raport.

“Ne jemi këtu jemi, unë dhe inspektorët e tjerë në përfundim e sipër të punës, Inspektorati do të vazhdojë punën e vetë, ku do të marrin informata do të parashikohet vendi i ngjarjes dhe më vonë do të dalin me një raport, kurse unë vetë erdha personalisht për ta parë nga afër vendin ku humbi jetën 22 vjeçari”, ka thënë Ibrahimi për Insajderin.

Gjatë ditës së djeshme në media është raportuar se kryeinspektori, Basri Ibrahimi nuk ishte lejuar të hyjë brenda kompanisë “Labi Oil”. Por, më pas për Insajderin Ibrahimi sqaroi se nga sigurimi i objektit i kishin thënë se të gjithë pronarët e punëtorët ndodhën në varrimin e 22 vjeçarit dhe se kjo është arsyeja se nuk mund të futet brenda.

Rasti nga Prokuroria e Prishtinës është cilësuar si vdekje e dyshimtë. Kryeprokurori i Prishtinës, Imer Beka tha se janë ndërmarrë disa hapa për ta zbardhur rastin.

Ai ka bërë të ditur se përveç dëshmitarëve të njohur për hetuesinë që janë duke u marrë në pyetje, në duar kanë edhe kamerat e kompanisë në fjalë si dhe telefonin e tashmë të ndjerit.

“Përveç dëshmitarëve të cilët janë të njohur për hetuesinë, janë ndërmarrë edhe veprime të tjera hetimore për zbardhjen e këtij rasti, si dërgimi i kufomës në autopsi, si dhe, ekzaminimi i kamerave dhe telefonit të të ndjerit, i cili është gjetur në vendin e ngjarjes”, tha kryeprokurori Beka.

Në vendin e ngjarjes, ku ka vdekur 22 vjeçari, i pranishëm ka qenë edhe Inspektori i punës nga Komuna e Graçanicës, ka konfirmuar Beka.

Ndryshe, Krenar Jemini është varrosur dje (25 shkurt) në varrezat e Mushtishtit të Suharekës. 22-vjeçari vdiq në vendin e tij të punës, në kompaninë “LAB Oil”.

Theksojmë se sipas statistikave në vend, gjatë vitit të kaluar, për shkak të pasigurisë në vendin e punës, kanë humbur jetën 23 persona, 12 në sektorin e ndërtimit. Në vitin 2017, 19 persona humbën jetë./Insajderi.com

Të ngjashme