Kryeministri Haradinaj krenar me ushtarët e Kosovës: Sot po shkojmë në shtëpi të qetë

Prishtinë | 31 Dhj 2018 | 16:31 | Nga Norë Kelmendi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri Ramush Haradinaj në vazhdën e vizitave të sotme ka vizituar edhe Forcën e Sigurisë së Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Haradinaj me rastin e kësaj vizite tha se ai bashkëndjenë më ushtarët e Kosovës për situatat në të cilat kalojnë ata.

“Për mua sot është një vizitë domethënëse, jam këtu me u taku ushtarët e Kosovës ata që janë roje sonte. Më vjen mirë për pritjen që më bënë edhe gjenerali Rama edhe ministri Berisha. E ndjej situatën nëpër të cilën kalon një ushtar sot, ata i kanë nga dy orë në të ftohtë, e pastaj ndërrohen rregullisht, në shtatë qendra të Kosovës janë sot ushtarët e Kosovës si roje”, tha Haradinaj.

Ai pati një falënderim për rojat e qendrave të FSK-së, derisa edhe tha se tani mund të shkojnë të qetë në shtëpi pasi që ushtria është e bërë.

“Ne ju shprehim falënderim sepse këta janë në gjendje gatishmërie në rast nevoje me iu përgjigj edhe kërkesave të tjera nëse ka nevojë. Me këtë e përmbylli ciklin e vizitave të sotme. Tash na ka mbet me shku në shpi të qetë, ushtrinë e kemi”.

Ndërsa ministri i FSK-së, Rrustem Berisha falënderoi kryeministrin për vizitën.

Berisha tha se ky vit ka qenë vit i suksesit dhe hapja e një kapitulli të ri për FSK-në.

“Kryeministër ju falënderoj për vizitën që ishit më ministri edhe në kujdestari. Është një përmbyllje e një viti dhe një kapitull i ri për FSK-në. Ne të gjithë jemi shumë krenarë që më në fund kemi ligjin për transformimin në ushtri të Kosovës”, tha Berisha.

Berisha tha se në vitin që po vjen FSK-në e presin sfida, por edhe shumë të arritura.

“Viti që vjen është një vit mjaft sfidues, që mendojmë do e kemi edhe mbështetjen e juaj që nuk dyshojmë fare që s’do ta kemi sikurse që e kemi pasur në vazhdimësi. Do të avancojmë dhe do të kemi të arritura edhe më të mëdha se këtë vit”, tha  ai.

Të ngjashme