Kryeministri në dorëheqje thërret mbledhjen e Qeverisë për të premten, Haxhiu e quan skandaloze

Prishtinë | 25 Kor 2019 | 14:39 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj ka thirrur mbledhjen e rregullt të  qeverisë për ditën e premte.

Kështu ka thënë në një prononcim për Telegrafin, Halil Matoshi, këshilltar i kryeministrit në dorëheqje, Ramush Haradinaj.

Sipas tij, kjo është një mbledhje e rregullt e qeverisë në detyrë nga kryeministri Haradianaj.

Matoshi tha se Haradinaj e kryeson qeverinë deri në pranim-dorëzimin e detyrës.

“Kjo është mbledhje e rregullt e Qeverisë në detyrë dhe Kryeministri Haradinaj e kryeson atë deri në pranim-dorëzimin e detyrës me kryeministrin e dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme”, tha Matoshi.

Ndërkaq, sipas Kushtetutës Neni 95, pika 5, nëse kryeministri jep dorëheqjen, posti i tij mbetet i lirë, qeveria bie.

“Nëse Kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria bie, dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë”, thuhet në Kushtetutën  e Republikës së Kosovës.

Lidhur me këtë, përmes një postimi në Facebook ka reaguar deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu.

Ajo ka shkruar se kjo mbledhje e thirrur nga Haradinaj, është skandaloze.

Sipas saj, secili vendim që mendohet të merret ka pasoja edhe penale.

“Kjo Qeveri ka rënë me dorëheqjen e Haradinajt. Ky është abuzim dhe shkelje kushtetuese:, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Ndryshe, Haradinaj ditë më parë në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, dha dorëheqje nga posti i kryeministrit me arsyetimin se është ftuar për intervistim nga prokurorët e Dhomave të Specializuar të Gjykatës Speciale, në Hagë.

Të ngjashme