Kryeministri po mashtron me “rritjen ekonomike”, ndërsa inflacioni është më i larti në histori

Prishtinë | 28 Tet 2021 | 15:57 | Nga Adil Behramaj

Në njërën anë, Albin Kurti po mashtron se Kosova ka rritje ekonomike përreth 10 për qind në këtë vit, sikurse asnjëherë më parë. Ai po i referohet vetëm rritjes nominale dhe jo rritjes reale të ekonomisë.

Rritja reale e ekonomisë përllogaritet duke e marrë parasysh edhe rritjen e normës vjetore të inflacionit, që sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës këtë vit është 4.9%, më e larta në historinë e Kosovës.

Ndërsa, në anën tjetër, Albin Kurti po distancohet tërësisht nga inflacioni i madh, i cili po rëndon më së shumti mbi familjet tona. Pra, të parën, rritjen nominale që nuk është reale, po e paketon si meritë të tij. Ndërsa, të dytin, inflacionin e çmimeve, po e lë tërësisht mbi kurriz të qytetarëve.

E vërteta është ndryshe!

Sipas raporteve të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, rritja reale e Bruto Produktit Vendor mbetet një shifrore edhe këtë vit, siç ka qenë në të kaluarën. Ndërsa, rritja nominale e ekonomisë sonë krahasuar me shumicën e shteteve të rajonit është më e vogël.

Sivjet rritja ekonomike do të jetë më e madhe, sepse në vitin e kaluar kemi pasur tkurrje të aktivitetit ekonomik prej minus 5.3 për qind për shkak të pandemisë.

Kosova, sipas raportit të Bankës Botërore, pritet të ketë rritje ekonomike prej 7.1 për qind në vitin 2021. Ndërsa, në periudhën afatmesme, rritja ekonomike parashikohet të mbetet në rreth 4 për qind.

Gjithçka që thuhet tjetër, që doni besoni, që doni mos besoni, veç propagandë është!

T’fala kryeministrit! 😉

Të ngjashme