Kryetarët e komunave në veri vazhdojnë punën

Prishtinë | 06 Qer 2023 | 14:24 | Nga Ekonomia Online

Përderisa takime të shumta janë duke u zhvilluar për të parë mundësinë e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore të Kosovës, kryetarët e këtyre komunave thonë se puna e tyre në shërbim të qytetarëve është duke u zhvilluar normalisht.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës veriore, Erden Atiq ka thënë se në vazhdimësi kanë takime të shumta me qytetarët e komunitetit serbë, për të dëgjuar ankesat dhe problemet e tyre.

Ai tha se puna në këtë komunë është duke shkuar në mënyrë normale dhe se nuk ka ndonjë problem.

 “Po kemi takime të shpeshta me qytetarë të komunitetit serbë. Po vijnë te ne me kërkese të problemeve të tyre. Puna është duke vazhduar me tempin e vet. Qytetarët kanë ardh për t’i kryer shërbimet e tyre…dhe unë si kryetar jam duke vepruar me kabinet tim…”, tha ai, duke shtuar se aktualisht i kanë emëruar pesë drejtorë të rinj në këtë komunë.

Edhe kryetari i Komunës së Zveçanit, Iir Peci u shpreh se gjendet në Zyrën për komunitete duke u marr me agjendën ditore.

“Në zyrë të komunitetit në fshatin Kelmend, mirë po na shkon puna. Jemi përgatit për kabinet, drejtorët e drejtorive të caktuara i kemi”, ka thënë Peci.

Po ashtu edhe kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri theksoi se aktualisht është duke punuar nga Zyra për komunitet në fshatin Çabër.

Ai tha shkurt se çdo gjë po shkon normalisht. “Po kemi dal në zyrë për të punuar, çdo gjë po shkon mirë”, tha shkurt Zeqiri, raporton telegrafi.

Ndryshe, presidentja Vjosa Osmani sot ka takuar të dërguarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe të dërguarin e BE-së për dialog, Miroslav Lajçak.

Ajo ka potencuar se zgjedhjet e reja në komunat në veri të vendit mund të organizohen në përputhje me kornizën aktuale kushtetuese e ligjore dhe në këtë kontekst, ajo shtoi se duhet të sigurohet pjesëmarrje demokratike e qytetarëve që jetojnë në këto katër komuna.

Edhe shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, është takuar këtë të martë me emisarin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, me të cilin ka diskutuar për situatën në veri.

Davenport ka thënë se e mbështesin fuqishëm thirrjen e BE-së për depërshkallëzimin e situatës si dhe mbajtjen e zgjedhjeve gjithëpërfshirëse në komunat veriore të Kosovës.

Ndërkaq, edhe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) kanë deklaruar sot se nëse caktohet zgjedhjet e reja për katër komunat veriore, ata janë të gatshëm për të kryer detyrat e veta që dalin nga Kushtetuta e Kosovës.

Të ngjashme