Kryeziu: Të hyrat e mbledhura nga tatimi në pronë i merr Komuna, jo Qeveria

Prishtinë | 24 Jan 2023 | 15:45 | Nga Ekonomia Online

Kryeziu përmes një postimi në Facebook, ka sqaruar se vlerën e tatimit e cakton komuna dhe jo ministria e Financave apo Qeveria e Kosovës.

“Sqarim: vlerën e tatimit e cakton komuna, e jo ministria e Financave apo Qeveria. Të hyrat e mbledhura nga tatimi në pronë i merr komuna, jo Qeveria”, ka shkruar ai.

Kujtojmë se, tatimi në pronë për vitin 2023 është rritur.

Ministria e Financave ka njoftuar se vlerësimi i tokave dhe objekteve është bërë në tetor. Për të ka thënë se kanë qenë të njoftuara komunat “me të cilat ka bashkëpunuar ngushtë për ta përcaktuar çmimin për metër katror për objekte dhe toka”.

Sipas MF-së, vlerësimi është bërë duke marrë të dhënat: Kontrata të shitblerjeve jo më të vjetra se 3 vjet, intervista me agjentë të shitjes së pronave të paluajtshme, anketime të pronarëve, intervista me zyrtarë bankash, vlera të pronave që janë shpronësuar, të dhëna të qirave dhe të kompanive të ndërtimit.

Qytetarë të shumtë kanë reaguar pasi kanë parë faturat e tatimit në pronë. Shumica kanë përjetuar rritje dyshifrore, ndërsa ka pasur raste edhe në mbi 150 për qind.

Reagime ka pasur edhe nga opozita.

LDK-ja ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të pezullojë rivlerësimin e tatimit në pronë për vitin 2023, ndërsa AAK-ja ka thënë se rritja e tatimit për pronat, është sulm ndaj qytetarëve.

Ndërsa PDK-ja, ka deklaruar se rritja e tatimit në pronë e vështirëson edhe më shumë gjendjen e qytetarëve të Kosovës.

Të ngjashme