Kuvendi i Kosovës po mban seancë për situatën aktuale të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë si dhe angazhimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për të drejtat dhe vështirësitë e tyre, raporton Ekonomia Online.
Deputeti i Vetëvendosjes, Ismail Kurteshi, ne emër të propozuesit të kësaj seance, tha se gjendja në Luginë nuk është aspak e mirë.
Ai tha se Lugina duhet të bëhet pjesë e bisedimeve me Serbinë si dhe të informohen faktorët ndërkombëtar për presionin që po ju ushtrohet shqiptarëve, të ndërpritet pasivizimi i adresave të shqiptarëve ngase siç tha ai është konstatuar se pasivizimi i adresave paraqet pastrim etnik të shqiptarëve në Luginë.
“Në Preshevë është mbyll Gjykata Themelore, është vetëm një shqiptar në Ministri të Arsimit. Lugina të bëhet pjesë e bisedimeve me Serbinë si dhe të informohen faktorët ndërkombëtar për presionin që po ju ushtrohet shqiptarëve, të ndërpritet pasivizimi i adresave të shqiptarëve, sepse është konstatuar se pasivizimi i adresave paraqet pastrim etnik të shqiptarëve në Luginë. Nëse institucionet e Kosovës dhe Shqipërisë nuk fillojnë me i përkrah politikisht dhe financiarisht, ata do të detyrohen të ikin nga trojet e tyre për shkak të politikës së Serbisë. Është koha e fundit që nga fjalët të kalojnë në vepra”, tha Kurteshi, raporton EO.
Anëtarët e Komisionit për Arsim të cilët ditë më parë vizituan luginën e Preshevës vlerësuan se gjendja e shqiptarëve atje është më e keqe se para katër vitesh kur ishin në vizitë.
Ata diskutuan rreth kërkesave të Këshillit Kombëtar Shqiptar nga vizita e përbashkët e realizuar në Luginë të Preshevës, ndërsa vendosën që për të hënën të thirret seancë e jashtëzakonshme.