Kurti: Asnjë qeveri s’e ka marrë dialogun më seriozisht se unë, Haradinaj ia dha kompetencat Thaçit

Prishtinë | 25 Shk 2022 | 13:30 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nuk është marrë më seriozisht nga asnjë qeveri e mëparshme sesa Qeveria e tij, raporton Ekonomia Online.

Në seancën plenare ku po diskutohet për zhvillimet në dialogun Kosovë – Serbi, shefi i Qeverisë i është përgjigjur kritikave të kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili tha se në vend për zgjidhjen përfundimtare, dialogu është kthyer për çështje teknike. “Dialogu po zhvillohet nga teknikët”, tha Haradinaj, duke aluduar në zv.kryeministrin Besnik Bislimi.

Kurti tha se në kohën sa ka qeverisur vendin, Haradinaj nuk ka qenë prioritet dialogu, por ka formuar grup me Shpend Ahmetin e Fatmir Limajn, e duke ia lënë në “dorë” ish-presidentit Hashim Thaçi këtë çështje të rëndësishme.

“Prandaj ju kisha lutur që të më ndihmoni mos thoni që njohja reciproke vjen sepse i bëni dëm Kosovës. Njohja reciproke është në qendër. Fjalia e sekretarit Blinken thotë se ShBA dhe Kosova gëzojnë marrëdhënie në vlerat e përbashkëta demokratike. Ne jemi të pavarur nuk është dialogu vetëm për neve por ndërmjet nesh dhe Serbisë. Dialogu që na kërkohet është për statusin e raportit më Serbinë jo Kosovës. 4 gjera i përmend Biden, forcimi i sundimit të ligjit, mbrojtja  e pakicave, forcimi i rritjes ekonomik, sigurimi i një marrëveshje të normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për njohje reciproke”, tha Kurti.

“Dialogu nuk është marrë më seriozisht sesa nga qeveria jonë. Ne jemi serioz në dialog e bisedime. E trajtojmë me urgjencë çështjen e të pagjeturve. Në letrën e Blinkenit përmendet çështja e energjisë në veri. Ju deputeti Haradinaj keni qenë kryeministër dhe dialogun ia patët lënë ish-presidentit Thaçi. E patët bërë grupin me Fatmir Limaj e Shpend Ahmetin. Pra nuk mund të ju marr seriozisht”, tha Kurti.

“Që prej vitit të kaluar ka ndodhur një zhvendosje tektonike në kuptimin diplomatik të fjalës, e raportit tonë me Serbinë në bisedimet e Brukselit. Nuk është më njohja në fund, si epilog, por është në qendër, jo në fund. Ka zhvendosje prej kohës në hapësirë. Jo një proces që përmbyllet me njohjen reciproke, por një proces në të cilin njohja reciproke është në qendër të marrëveshjes.Këtë e thotë dhe Presidenti Biden, këtë e thotë edhe Sekretari Blinken, në letrën që ma ka dërguar në janar. Në qendër është njohja reciproke, jo në fund. Pra, ka marrë fund ajo ‘sallami taktika’ ku Kosova bën koncesione e kompromise në pritje të njohjes që na vjen në fund, e që s’vjen asnjëherë. Dhjetë vjet i kemi pas të kornizuara në një mënyrë të tillë. Në vitin e kaluar është bërë ndryshimi. Në vitin e kaluar jemi zhvendosur nga koha te hapësira, jo një proces kohor në fund të së cilit vjen njohja por një marrëveshje në hapësirën e së cilës në qendër është njohja reciproke”, u shpreh Kurti.

Të ngjashme