Kurti dhe Konjufca kallëzim penal ndaj Thaçit dhe Veselit për “deklarime të rrejshme nën betim”

Prishtinë | 25 Pri 2019 | 11:58 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe deputeti i kësaj partie Glauk Konjufca kanë dorëzuar një kallëzim penal ndaj Presidentit Hashim Thaçi dhe Kryekuvendarit Kadri Veseli, njofton Klan Kosova.

“Ne po bëjmë këtë kallëzim penal duke pasur parasysh deklarimet e tyre të rrejshme nën betim që i kanë bërë me datën 28 dhjetor të vitit të kaluar në procesin gjyqësor ndaj rastit Syri i Popullit. Në rastin e sulmit që këta dy kanë bërë kundër Glaukut, meje dhe Sadri Ramabajës”, tha Kurti pak momente para se ta dorëzonin bashkë me Konjufcën kallëzimin në Prokurorinë Themelore të Prishtinës.

“Këta dy njerëz që ndodhen në postet më të larta institucionale, kanë rënë në pozitat më të ulëta njerëzor. Këta jo që mbrojnë Republikën, por Republika është e rrezikuar prej këtyre njerëzve që shpifin nën betim”.

Deputeti Konjufca tha se veprimet e Thaçit dhe Veselit kanë të bëjnë me një tendencë të qartë që përmes kontrollit të drejtësisë ta luftojnë Lëvizjen Vetëvendosje, njofton Klan Kosova.

“Ne këtë e kualifikojmë si përpjeke për eliminim politik të Vetëvendosjes”.

“Albini dhe unë padrejtësisht dhe me shpifje – prej presidentit të shtetit jemi lidhur me një organizatë që pretendohet të jetë terroriste që është Syri i Popullit”.

“Presidenti në deklarimin e tij gjatë dëshmisë e ka urdhëruar gjykatën që të zgjerojë aktakuzën në drejtim të Albinit dhe meje. Kjo nuk do koment tjetër veçse ndërhyrje politike e drejtpërdrejt në sistemin e drejtësisë që përmes tij pastaj të goditen kundërshtarët politikë”.

“Ne edhe përkundër kontrollit të tyre në drejtësi mendojmë se aty ka prokurorë të guximshëm, por të cilët nuk po mund të vijnë në shprehje”.

Të ngjashme