Kurti: Dialogu duhet së pari të normalizojë Serbinë

Prishtinë | 26 Jan 2021 | 13:38 | Nga Ekonomia Online

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti, ka thënë se parakusht për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë normalizimi i vetë vendeve nëpërmjet këtij procesi. Sipas tij, dialogu do të duhej ta normalizonte së pari Serbinë.

Në një diskutim të organizuar nga instituti “Wilson Center”, Kurti ka thënë se korrupsioni i lartë dhe krimi i organizuar ka pamundësuar qe 20 vjet investimet e jashtme direkte.

“Prandaj, reforma në drejtësi dhe sundimi i ligjit janë parakushte për zhvillimin ekonomik. Pjesëmarrësit i njoftova se të gjitha këto hapa janë paraparë në Alternativën Qeverisëse të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, e cila ndërtohet rreth dy kërkesave bazë të qytetarëve: Punë dhe Drejtësi”, ka thënë ai për këtë ngjarje.

Duke folur për dialogun me Serbinë, Kurti ka thënë se ky proces nuk duhet të ndërtohet mbi harta.

“Me qindra pjesëmarrës të kësaj ngjarjeje, përgjithësisht ekspertë ndërkombëtar, ishin të interesuar të njihen me qëndrimet tona në lidhje me raportet me vendet e rajonit, në veçanti për dialogun me Serbinë. Thashë se dialogu duhet të jetë një proces i cili bazohet në përmbajtjen e marrëveshjes, e jo në ngutinë për ta arritur atë. Dialogu nuk duhet të ndërtohet mbi harta dhe mbi harta nuk duhet të ketë presidentë rrotull si në të kaluarën. Parakusht për normalizimin e raporteve mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, duhet të jetë normalizimi i vetë vendeve nëpërmjet këtij procesi. Serbia nuk është një vend demokratik, ajo refuzon të ballafaqohet me të kaluarën, prandaj ky proces dialogues i ndërmjetësuar nga BE dhe ShBA, së pari do të duhej ta normalizonte Serbinë. Synim përfundimtar i këtij procesi do të duhej të ishte përmirësimi i jetës së qytetarëve dhe jo kompensimi i Serbisë për humbjet që i pësoi regjimi gjenocidal i Milosheviqit në vitet e ’90-ta. Një marrëveshje mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, e cila bazohet në vlera dhe parime, përveçse në fakte e interesa, do të kishte ndikim pozitiv në tërë rajonin, i cili së bashku duhet të përparojë drejt integrimeve evropiane dhe euro-atlantike. Procesi i integrimit mund të përshpejtohet me një bashkëpunim më intensiv të vendeve të rajonit në kuadër të Procesit të Berlinit që duhet avancuar nga një “Plan Marshal” për Ballkanin Perëndimor, që do të ndihmonte në demokratizimin e vendeve, zhvillimin e ekonomive të tyre dhe bashkimin e qyteteve të ndara, të cilat mbesin si plagë të hapura në disa vende të Ballkanit”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Të ngjashme