Kurti do ta heq taksën ashtu siç e kërkon Grenelli

Prishtinë | 28 Shk 2020 | 17:24 | Nga Bekim Kabashi

Një analizë e shkurtër se si do të veprojë Kurti me taksën për mallrat serbe.

Kryeministri Kurti, dje e bëri hapin e parë për heqje të taksës pa vendosje të reciprocitetit. Kjo ishte një strategji e menduar mirë, që në momentin kur qeveria të heq taksën, vendimi të duket i arsyeshëm dhe racional në opinioin publik, pa marrë parasysh çfarë kishte premtuar Kurti më parë.

Dje pas konferencës për media ku ai njoftoi se do të bëj heqje të pjesëshme të taksës, fillimisht mori kritika të ashpra nga partneri i koalicionit, e më pas edhe nga SHBA.

Veprimi i djeshëm i Kurtit u tha se po na prish me Amerikën, dhe kjo është marrë shumë seriozisht dhe me shumë shqetësim nga të gjithë, janë apo nuk janë përkrahës të kësaj qeverie.

Pas presionit të SHBA’së, tani Kurti e ka edhe presionin e qytetarëve të Kosovës, se duhet ta heq taksën që të mos e dëmtojë partneritetin e vendit me SHBA’në, partneritet i cili është jetik për shtetin.

Kurti tani do ta heq taksën, dhe ai do të jetë i mbrojtur nga kritikat për këtë, pavarësisht se nuk do ta vendos as reciprocitetin e premtuar. Kryeministri në atë rast do të thotë, unë isha i fundit që u dorëzova përball këtij presioni, dhe këtë e bëra, pasi ma kërkuan qytetarët e Kosovës dhe interesi i vendit.

Të ngjashme