Kurti: Dëshirojmë të merremi vesh për një president konsensual

Prishtinë | 14 Gus 2026 | 11:42 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka përsëritur qëndrimin e tij dhe të partisë që ai udhëheq se presidenti i ardhshëm duhet të jetë konsensual dhe se për këtë dëshiron të ketë marrëveshje me partitë e tjera, që të evitohen zgjedhjet e reja, raporton Ekonomia Online.

“Ju e keni parasysh që qëndrimi i LVV-së si fituese e zgjedhjeve është që presidenti i ardhshëm të jetë konsensual me mbështetje sa më të gjerë në Kuvend dhe në popull, të jetë personalitet që ka merita dhe kontribut, vlera kombëtare qytetare, por gjithashtu edhe i dëshmuar në profesion e shoqëri dhe për këtë dëshirojmë të merremi vesh në mënyrë që të evitojmë zgjedhjet e reja”, tha ai.

“Ju e keni parasysh që qëndrimi i Lëvizjes Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve, është që presidenti i ardhshëm ose presidentja e ardhshme të jetë konsensual, pra gjithëpërfshirës, me mbështetje sa më të gjerë në Kuvend e në popull; të jetë një personalitet që ka merita e kontribut, vlera kombëtare, qytetare, por gjithashtu edhe i dëshmuar në profesion e në shoqëri”, ka thënë Kurti.

Sipas tij, marrëveshja për presidentin duhet të arrihet paraprakisht, në mënyrë që të evitohen zgjedhjet e reja.

“Dhe përveç kësaj, dëshirojmë që për këtë të merremi vesh paraprakisht, në mënyrë që t’i evitojmë zgjedhjet e reja. Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, zgjedhja e Kryesisë së Kuvendit, formimi i qeverisë nuk janë sfida. Sfidë është zgjedhja e presidentit. Prandaj ne duhet të merremi vesh për zgjedhjen e presidentit”, është shprehur ai.

Kurti ka thënë se Vetëvendosje është e gatshme për diskutime me partitë politike për të arritur te emri ose emrat që do të mund të kandidoheshin për president.

“Jemi të hapur për të bërë diskutime shteruese që të vijmë deri tek emri apo emrat, të cilët do t’ju japim nënshkrimet të kandidojnë dhe të zgjidhen më pastaj. Dikush që është jashtë skenës aktuale politike, jashtë polemikave ditore partiake dhe që është figurë unifikuese, sepse në Kushtetutën e Kosovës shkruan që Presidenti i Republikës duhet të jetë shprehje e unitetit të popullit”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka thënë se Vetëvendosje i ka ofruar LDK-së pozitën e kryetarit të Kuvendit, ndërsa sipas tij, partia që ai drejton tashmë ka hequr dorë nga dy prej tri pozitave të larta shtetërore.

“Ne ja kemi ofruar Lidhjes Demokratike të Kosovës kryeparlamentarin, kryetarin e Kuvendit. Gjithashtu kam deklaruar edhe në takime, edhe jashtë tyre, që ne jemi për president konsensual. Pra, nga tri pozita të larta shtetërore, Vetëvendosja tashmë ka zbritur në vetëm një — te kryeministri. Presidenti konsensual, kryeparlamentari LDK-ja”, ka thënë ai.

Kurti ka komentuar edhe qëndrimin e LDK-së për të qëndruar në opozitë, duke thënë se kjo parti, sipas tij, është dashur të jetë pjesë e bashkëqeverisjes.

“Pozita e kryetarit të Kuvendit është refuzuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, është konsideruar ceremoniale. Unë besoj që është dashur që ta marrin atë pozitë. E ndjeka edhe mbrëmë qëndrimin e deklaratën publike të mikut tim, kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili tha që LDK-ja do të qëndrojë në opozitë. Unë besoj që LDK-ja është dashur të vijë në bashkëqeverisje, ta kemi një marrëveshje politike”, ka thënë Kurti.

Ai ka bërë të ditur edhe ofertën që, sipas tij, i është bërë LDK-së për bashkëqeverisje, duke përmendur edhe mundësinë që Lumir Abdixhiku të jetë zëvendëskryeministër.

“Nuk është e thënë të jetë identike me rezultatin e zgjedhjeve 53 me 18, por edhe deformimi i rezultatit nuk mund të jetë. Pra, me 18 deputetë ta marrësh kryetarin e Kuvendit nuk është pak”, ka deklaruar ai.

Kurti ka thënë se oferta e Vetëvendosjes është përsëritur pasi LDK-ja nuk ka shprehur interesim për pozitën e kryetarit të Kuvendit.

“Kur e pamë që nuk janë të interesuar për kryetarin e Kuvendit, oferta jonë qysh në pranverë është ripërsëritur tani. Me fjalë të tjera, nëse Vetëvendosja do ta kishte kandidatin për president — e ju e dini që ishte Glauk Konjufca — atëherë Lidhja Demokratike e Kosovës ta marrë zëvendëskryeministrin dhe katër ministri. Ndërkaq, nëse kandidati për president është konsensual, ta marrë zëvendëskryeministrin dhe tri ministri”, ka thënë Kurti.

Sipas tij, në rast të një presidenti konsensual, Vetëvendosje do të hiqte dorë nga pozita e presidentit, ndërsa LDK-së do t’i ofrohej pozita e zëvendëskryeministrit dhe tri ministri.

“Sepse Vetëvendosja po heq dorë prej presidentit dhe ta ketë zëvendëskryeministrin e tri ministri. E nëse është Glauku, zëvendëskryeministrin e katër ministri”, ka deklaruar ai.

Kurti ka përshëndetur gjithashtu thirrjen e Abdixhikut që në diskutimet për presidentin të përfshihen edhe partitë e tjera politike.

“Tash, unë e përshëndes thirrjen e kryetarit Abdixhiku që edhe partitë e tjera — gjithëpërfshirës të jetë presidenti, pra të mos jenë veç dy subjekte, vetëm Vetëvendosja edhe vetëm LDK-ja, të jenë edhe të tjerët”, ka thënë ai.

Të ngjashme