Kurti e përsërit edhe me Lahbib: Jemi për zbatim të plotë, të shpejtë dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit

Prishtinë | 24 Nën 2023 | 17:11 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim ministren e Punëve të Jashtme, Çështjeve Evropiane, Tregtisë së Jashtme dhe Institucioneve Federale të Kulturës të Mbretërisë së Belgjikës, Hadja Lahbib, e shoqëruar nga ambasadori i parë i Belgjikës në Kosovë, Gregoire Cuvelier dhe delegacioni zyrtar.

Mediet nga ky takim janë lejuar të marrin vetëm pamje në oborrin e Qeverisë.

Ndërsa sipas një komunikate shtypi të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit, në takim Kurti i ka uruar mirëseardhje në Kosovë ministres Lahbib, dhe i ka shprehur falënderimin e tij të përzemërt për mbështetjen që Belgjika i ka dhënë Kosovës dhe popullit të saj, dhe që vazhdon edhe sot e tutje.

15 vjet pas njohjes nga Belgjika dhe vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve, sot u bë edhe përurimi i ngritjes së përfaqësimit diplomatik të Belgjikës në Kosovë në nivel Ambasade, në një ceremoni ku e pranishme ishte zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla. Hapja e Ambasadës së Belgjikës në Kosovë është manifestim i marrëdhënieve të shkëlqyeshme dypalëshe, potencialit dhe vullnetit të dyanshëm për thellim të raporteve, thuhet në komunikatë.

Me këtë rast, kryeministri Kurti dhe ministrja Lahbib diskutuan rreth mundësive të bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, tregtisë, mbrojtjes e kulturës, krahas atij politik.

“Meqë jemi në prag të Presidencës belge të Këshillit të Bashkimit Evropian, u diskutua edhe për procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, përkatësisht të rrugëtimit të Republikës së Kosovës në atë drejtim”.

Kosova ka dorëzuar aplikimin e saj për anëtarësim më 15 dhjetor të vitit të kaluar, dhe është në pritje që të marrë statusin e vendit kandidat.

Në takim u fol edhe për situatën e sigurisë në rajon dhe për raportet e Kosovës dhe Serbisë në dritën e sulmit terrorist dhe paramilitar në Banjskë të Zveçanit sot dy muaj më parë dhe takimin e 26 tetorit me liderët evropianë në Bruksel. Kryeministri Kurti thuhet se e njoftoi ministren belge Lahbib për angazhimin dhe qasjen konstruktive që Kosova ka pasur përgjatë procesit të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe për qëndrimin e Kosovës në takimin e fundit në Bruksel në të njëjtën ditë kur po zhvillohej edhe Samiti i Këshillit Evropian.

Ai ritheksoi se Kosova mbetet e përkushtuar për zbatim të plotë, të shpejtë dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj, dhe se nënshkrimi i tyre është garanti i respektimit dhe zbatimit të tyre drejt një normalizimi të qëndrueshëm të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Të ngjashme