Kurti folës kyç në Konferencën e Mbrojtjes në Londër: Armatimi i Serbisë shpërfaq synimin për eskalimin e situatës

Prishtinë | 23 Maj 2024 | 15:09 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ishte folës kyç në Konferencën e Mbrojtjes në Londër që këtë vit po zhvillohet me temën “Parandalimi: ndërtimi i kapaciteteve për t’iu kundërvënë kërcënimeve globale”

Në fjalimin e tij hyrës, në auditoriumin kryesor të Kolegjit të Mbretit (King’s College), në hapësirat e së cilit po zhvillohet ky edicion i Konferencës së Mbrojtjes, kryeministri Kurti foli për rolin kritik të NATO-s dhe aleatëve demokratikë, 25 vjet më parë me rastin e çlirimit të Kosovës, dhe për rrezikun që autokratët paraqesin sot për sigurinë e vendit, Ballkanit Perëndimor dhe të Evropës në tërësi.

Ai tha se suksesi i ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, ka sfiduar pikëpamjet pesimiste se çfarë mund të arrinte ndërhyrja perëndimor. Ajo, përveçse se ndaloi gjenocidin që po zhvillohej mbi popullin shqiptar nga regjimi i Millosheviqit, i hapi rrugën rikthimit të mbi 1 milion refugjatëve, rindërtimit të 120 mijë shtëpive të djegura ose të shkatërruara dhe fillimit të një demokracie.

“Ajo që rezultoi ishte një republikë e pavarur, një angazhim për qeverisje të mirë dhe mirëqenie sociale të qytetarëve – qeverisje që respekton të drejtat e njeriut dhe vlerëson qëndrueshmërinë institucionale, me një kushtetutë dhe ligje që, siç theksoi Këshilli i Evropës në fillim të këtij viti, i përmbushin dhe tejkalojnë standardet evropiane për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të pakicave, dhe organet e zgjedhura në mënyrë demokratike që i zbatojnë ato ligje”, u shpreh kryeministri Kurti, duke shtuar se 25 vjet pas intervenimit të NATO-s, Kosova është forcuar me ndihmën e aleatëve ndërkombëtar dhe tani është demokracia numër një në rajon, krahas përparimit ekonomik e shoqëror.

E ndërkohë që Ballkani Perëndimor dhe rajoni në përgjithësi është zhvilluar me shpejtësi të madhe dhe ka ndryshuar në mënyrë domethënëse, kërcënimet kanë vazhduar të jenë të pranishme, dhe kjo jo pak për faktin që zyrtarë të lartë të regjimit të Millosheviqit që ishin në pushtet një çerek shekulli më parë edhe sot janë në pushtet në Serbi, përfshirë këtu Presidentin aktual të Serbisë, por edhe për faktin se Serbia po krijon gjithnjë e më shumë lidhje të ngushta me Rusinë dhe Kinën, nënvizoi kryeministri.

Ai veçoi kidnapimin e tre pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në afërsi të kufirit nga forcat speciale serbe në qershor të vitit të kaluar dhe sulmin terrorist dhe paramilitar të 24 shtatorit 2023 në Banjskë, si dy raste të kërcënimeve të drejtpërdrejta nga Beogradi zyrtar, i cila, siç tha kryeministri, mendon se ka një boshllëk politik dhe të sigurisë që ia mundëson një sjellje të tillë. Ai shtoi se Kosova nuk është i vetmi vend në rajon i rrezikuar nga ndonjë sulm fizik, teksa tërhoqi vëmendjen edhe tek rreziku që paraqet infrastruktura dezinformuese ruse e që përdor intervenimin e NATO-s për të dezinformuar mbi perëndimin. 

Në përfundim të fjalës kryeministri tha se është e nevojshme që të ripërtërihet kohezioni dhe aleanca demokratike e para 25 vjetëve, në mënyrë që shtetet që mbrojnë vlerat demokratike, të mbyllin boshllëkun politik dhe praktik që i bën liderët autokratë të besojnë se sulmi ndaj një vendi tjetër evropian, apo çfarë do sulmi, është i mundshëm.

Pas fjalës hyrëse, diskutimi me të pranishëm në sallë vazhdoi nën moderimin e gazetarit Adam Boulton nga TalkTV, ish redaktor në Sky News.

Të ngjashme