Kurti, i frikësuar se po i bie popullariteti nëse lëshon pe në çështjen e targave, u mundua ta gjejë një zgjidhje “të ndërmjetme”

Prishtinë | 28 Tet 2022 | 19:44 | Nga Liri Loshi

Më mirë ka qenë me e shty çështjen e targave për 10 muaj, siç ka kërkuar i dërguari i posaçëm amerikan Gabriel Escobar se me e shkallëzu në katër faza zbatimin e saj, siç paska vendosur sot qeveria!

Kjo është me lënë veten me zorrë nëpër këmbë edhe për disa muaj me shpresë se e tërë kjo odisejadë përfundon para kornizës kohore që kishin paraparë amerikanët! Gjasat janë që prapë të mos përfundojë para 10 muajve!

Kryeministri Kurti, i frikësuar se po i bie popullariteti nëse lëshon pe në çështje të targave, ka vendosur që mes qëndrimit të tij dhe atij amerikan, ta gjejë një zgjidhje të ndërmjetme! Për mendim timin kjo zgjidhje, le që nuk tregon respektin e duhur ndaj mikut të sprovuar të Kosovës, siç është SHBA, por duket shumë më e keqe, sepse krijon një prolongim të panevojshëm që iu jep edhe më shumë shansë serbëve lokalë që të mos e respektojnë atë.

Në anën tjetër, vendimi për të bërë diçka të pjesëshme në drejtim të plotësimit të kërkesës amerikane nuk duket aspak serioz. Nëse një mik i fuqishëm të kërkon që ti të bësh diçka për hir të respektit ndaj tij, atëherë duhet të vendosësh o ta respektosh mikun plotësisht o mos ta respektosh fare! Diçka si respekt i pjesërishëm në miqësi nuk ka dhe nëse tentohet të bëhet diçka e tillë, atëherë ajo diçka emrin e ka mosrespekt.

Plotësimi i kërkesës së SHBA-së do ta obligonte atë që pas skadimit të afatit 10 mujor të merrte përgjegjësi të shtuar për çfarëdo dështimi të zbatimit të saj. Tani, me këtë zgjidhje të pjesërishme, nuk e obligon atë në masë të njëjtë, sepse vendimi i qeverisë nuk e përmbush kërkesën amerikane, e cila kur ka kërkuar 10 muaj afat, ka pasur një plan se si të veprohet gjatë tërë asaj kohe që çështja në fjalë dhe shumë çështje tjera të zgjidhen bashkërisht dhe përfundimisht.

Nuk di pse ne tentojmë të dukemi palë e rëndësishme para SHBA-së kur edhe frymën që e marrim (atje n’Kosovë) e kemi të garantuar nga ajo. Kur maca tenton ta luajë kryet e buallit mace mbetet prapë, veçse duket më qesharake sesa ka qenë më parë. Kosova duhet të duket shumë serioze në çdo rast me SHBA-në!

Të ngjashme