Kurti: Marrëveshja do duhej të implementohej që dje, ndërkombëtarët ta dënojnë sjelljen e Serbisë

Prishtinë | 21 Mar 2023 | 10:47 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se plani i zbatimit të marrëveshjes do duhej të niste që nga dje (e hëne), por që kjo sipas tij nuk është bërë për fajin e Serbisë. E ndaj kësaj të fundit, Kurti ka kërkuar nga ndërkombëtarët që të marrin masa, raporton Ekonomia Online.

Teksa ka folur para gazetarëve të martën, Kurti ka thënë se për Kosovën kjo është marrëveshje, por ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që ta dënojë sjelljen e Serbisë, e cila vazhdon të flasë kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe kundër pavarësisë së Kosovës.

“Zbatimi i kësaj marrëveshje duhet të fillonte qysh dje, për shkak se edhe plani i zbatimit thotë se ka një afat se kur duhet të fillojë marrëveshja së zbatuari. Edhe marrëveshja bazë edhe plani i zbatimit tashmë i kemi të dakorduara. Për neve kjo është marrëveshje por unë pres nga faktori ndërkombëtar që ta dënojnë e gjykojnë sjelljen e Serbisë e cila kur mbahen takimet thotë se nuk nënshkruaj e ndërmjet takimeve thotë se nuk zbatoj gjë”, u shpreh Kurti.

Ai ka shtuar se është i vetmi që në takimet e Brukselit bën propozime dhe oferta.

“Unë bëj propozime dhe oferta që refuzohen dhe në fund merremi vesh ama ata nuk nënshkruajnë. Për të tjerat me ndërmjetësit evropianë do të jemi në kontakt të vazhdueshëm, me partnerët tanë amerikanë gjithashtu jemi në komunikim të vazhdueshëm, dhe do të duhej që atë formulimin për vetëmanaxhimin e komunitetit serb të adresojmë çështjet që na paskan ngelur pa u mbushur dhe për ne bëhet fjalë për një formulim i cili i përket në mënyrë shumë besnike dhe të saktë konventës kornizë për mbrojtjen e pakicave kombëtare sipas Këshillit të Evropës”, ka shtuar Kurti.

Sipas tij, topi tash nuk duhet të jetë te Kosova por te Serbia.

Të ngjashme