Kurti: Marrëveshjet Kosovë-Shqipëri vetëm zotim, por jo edhe zbatim

Prishtinë | 25 Nën 2018 | 11:41 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur konferencë për medie, ku kryetari Albin Kurti dhe nënkryetari Besnik Bislimi kanë folur për bashkëpunimin dhe marrëveshjet mes Kosovës dhe Shqipërisë në fushën e ekonomisë, ku sipas tyre këto marrëveshje janë vetëm zotim por jo edhe zbatim.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti tha se bashkëpunimi i Kosovës dhe Shqipërisë shpie te fuqizimi i ndërsjellët drejt integrimit dhe bashkimit nw mes dy vendeve, por kjo nuk po ndodh për shkak të mos zbatimit të marrëveshjeve të nënshkruara në mes dy vendeve që nga viti 2014, raporton Ekonomia Online.

“Kosova dhe Shqipëria kanë nënshkruar dhjetëra marrëveshje në takimet e tyre të përbashkëta që mbahen një apo dy herë në vit, problemi është se në asnjë faqe zyrtare të dy qeverive këto marrëveshje nuk janë të publikuara të plota dhe nuk janë sjell në Kuvend për njoftim që nga 2014”, tha Kurti.

Kurti tha se deputetet, Albulena Haxhiu dhe Fitore Pacolli kishin bërë kërkesë për të u qasur në këto marrëveshje, por Ministria e Punëve të Jashtme pas një kohë i kishte kthyer përgjigje negative, që nuk i posedojnë.

“Deputetet, Albulena Haxhiu dhe Fitore Pacolli kanë bërë kërkesë mirëpo MPJ dhe qeveria nuk ka pasur përgjigje me shkrim, në kërkesën e administratës së komisionit për qeveri përgjigja në pranverë të këtij viti ka qenë, nuk i kemi. Ndonëse këto marrëveshje janë quajtur ndërkombëtare, karakteristikë e tyre është se asnjëherë nuk e kanë marrë atë karakter me cilësi zbatuese”, tha Kurti.

“Sado që nënshkruhen marrëveshjet nga pikëpamja e zbatueshmërisë të dy vendeve, të dy ligjeve përkatëse për marrëveshje ndërkombëtare këto marrëveshje në rendin juridik janë në shkallën më të ulët, praktikisht siç e shohim ato nuk është e thënë të zbatohen dhe as nuk ka ndonjë mekanizëm që e bën detyrim te zbatohen”, tha ai.

Kurti tha se Qeveria e Kosovës nuk e ka zbatuar as marrëveshjen për heqjen e lejeve të punës për shtetasit shqiptarë.

“Marrëdhëniet vëllazërore nuk po funksionojnë në asnjë marrëveshje, 4 vjet më vonë Kosova ende nuk e ka zbatuar marrëveshjen për heqjen e lejeve të punës për shtetasit e Shqipërisë edhe pse Shqipëria i ka hequr ato menjëherë, qeveria e Kosovës kane thënë që duhet ndryshuar ligji për të huajt në Kosovë dhe ligji u ndryshua por kjo marrëveshje asnjëherë nuk u zbatua”, tha Kurti, raporton EO.

Ai tha se Kosova dhe Shqipëria janë bërë peng i Serbisë, ndërsa taksën 100% e vendosur për produktet serbe Kurti e cilëson si akt të dëshpëruar ndaj mos anëtarësimit të Kosovës në Interpol.

“Kosova e Shqipëria nuk po bashkohen, por janë peng i Serbisë e cila të dyja po na mban të bashkuar dhe të bllokuar inerkoneksionin 400kw tashmë të ndërtuar, jemi bashkë sepse jemi peng të Serbisë”, tha ai.

“Duhet pritur efekte pozitive nga taksa 100%, metoda nuk është adekuate dhe përgatitjet mungojnë, e kam fjalën për atë se në vend të reciprocitetit të plotë tregtar, politik, ekonomik në mes Kosovës dhe Serbisë që do vinte nga përcaktimi për integritet dhe dinjitet shtetëror i vendit tonë, është vënë një taksë që është më shumë një gjobë taktike, apo një akt i dëshpëruar i nënshtruar për shkak të sjelljes së Serbisë me rastin e mosanëtarësimt në Interpol”, tha ai.

“Ne jemi një komb me dy shtete, nuk mund te kemi dy politika karshi Serbisë”, tha Kurti.

Nënkryetari i VV, Besnik Bislimi tha se marrëveshjet mes këtyre dy vendeve janë të harruara.

“50 marrëveshje mes dy palëve, 14 memorandume dhe 3 zotime të fushës së ekonomisë, secila nga marrëveshje është e veçantë në integrimin e vazhdueshëm të ekonomive tona, fatkeqësisht këto marrëveshje janë harruar dhe asnjëra nuk ka kaluar në parlament dhe nuk gjenden ne data baza dhe në faqet online të Kuvendit”, tha Bislimi

“Ne kemi nënshkruar marrëveshje për lehtësim të qasjes, qeveria e Kosovës nuk i ka heq barrierat për qytetarët e Shqipërisë që vijnë të punojnë”, tha ai.

Të ngjashme