Kurti ndihet i bezdisur nga gazetarët: Ma keni zënë derën, nuk po mund të kaloj!

Prishtinë | 26 Jan 2023 | 14:12 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot është përballur me një situatë “të pakëndshme” (për të), kur u shfaq para gazetarëve pas një forumi ekonomik të mbajtur të enjten, raporton Ekonomia Online.

Kurti u “ankua” se gazetarët ia kanë zënë derën.

“Së pari nuk është mirë që ma keni zënë derën, sepse nuk mund të kaloj”, tha ai.

Interesimi i gazetarëve ishte në lidhje me takimin e mbrëmshëm që ai pati me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi.

Vetë Mirosolav Lajçak, në një postim të bërë pas mesnatës, në Twitterin e tij, ka shkruar se “ranë dakord që të gjitha marrëveshjet e kaluara të dialogut duhet të zbatohen plotësisht”. Kjo nënkupton që do të themelohet dhe Asociacioni Komunave me Shumicë Serbe, të cilin Kurti e ka kundërshtuar vazhdimisht.

Kurti tha se me ndërmjetësin sllovak kanë folur “gjerë e gjatë” për propozimin e ndërkombëtarëve që të arrihet një marrëveshje e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ne kemi pasur një takim mbrëmë me emisarin e posaçëm të Brukselit për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak, bashkë me zëvendësim tim, Besnik Bislimin. Dhe kemi diskutuar gjatë për propozimin e BE-së. Çështja e të drejtave të pakicave, çështja e marrëveshjeve të mëhershme në Bruksel është përbrenda këtij propozimi të BE-së”, tha Kurti.

Emisarët ndërkombëtarë kanë bërë presion për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Por Kurti ka kërkuar që kjo të përfshihet në Planin Franko-Gjerman, ku do të parashihej dhe njohja reciproke.

“Nuk mund ta nxjerrim qerren para kalit. Së pari kali pastaj qerrja”, u shpreh Kurti, duke përdorur një mesele popullore.

Të ngjashme